Ndërroi jetë veprimtari i arsimit, prof. dr. Xhevat Gega

Sot në orët e para të mëngjesit, ka ndërruar jetë, veprimtari i arsimit Prof. Dr. Xhevat Gega, transmeton “Koha“. Varrimi i të ndjerit bëhet sot (e hëne, 23 tetor) në varrezat e qytetit në Strugë.

(BIOGRAFIA)
Prof. Dr. Xhevat Gega

Veprimtaria arsimore dhe shkencore

Prof. Dr. Xhevat Gega lindi në Strugë më 1934. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa
Normalen në Shkup dhe Tetovë. Pas diplomimit punon si mësues në fshatin Kishavë të
Manastirit, ndërsa vitin vijues shkollor në f. Veleshtë të Strugës. Pas dy vjet mësuesie, në
vitin 1953 Xhevat Gega regjistrohet në Fakultetin Filozofik në Beograd dhe në vitin 1957, në
po atë fakultet të Beogradit, diplomohet në degën e gjuhës dhe letërsisë shqiptare. Pas
diplomimit ka punuar si profesor i gjuhës dhe letërsisë në Normalen “Zef Lush Marku” të
Shkupit, ndërsa si bashkëpunëtor i jashtëm ka ligjeruar edhe në Grupin e Gjuhës dhe
Letersisë Shqiptare pranë Akademisë së Lartë Pedagogjike ”Kliment Ohridski” të Shkupit.

Vite me rradhë ka qenë redaktor i rubrikës kulturore në Redaksinë e gazetës “Flaka e
Vëllazërimit”. Që nga tetori i vitit 1969 e deri më 1974 ka punuar si profesor i lëndëve histori e

letërsisë shqiptare dhe teori e letërsisë pranë Akademisë Pedagogjike “Kliment Ohridski” në
Shkup, ku gjatë një mandati ka qenë edhe zëvendësdrejtor i Akademisë Pedagogjike.

Në periudhën ndërmjet viteve 1974 – 1978 ka qenë kryeredaktor dhe redaktor përgjegjës i
gazetës “Flaka e Vëllazërimit” si dhe i edicioneve të tjera në gjuhën shqipe, të cilat botohen në
Republikën e Maqedonisë. Gjatë periudhës së lartë përmendur, si bashkëpunëtor i jashtëm, ka
ligjëruar metodikën e mësimdhënies së gjuhës dhe letërsisë shqiptare pranë Fakultetit
Filologjik në Shkup. Që nga viti 1978 e deri në pensionim, tetor 1996, Xhevat Gega punoi
pranë Fakultetit Filologjik në Shkup si ligjërues i lartë e në fund edhe si profesor i historisë së
letërsisë shqiptare, duke kryer vite të tëra edhe detyrën e shefit të Katedrës së Gjuhës dhe
Letërsisë Shqiptare. Nga tetori i vitit 1979 e deri në shtator të vitit 1981 Xhevat Gega ka qenë
prodekan, pastaj Kryetar i Këshillit të fakultetit, si dhe kryesues i disa komisioneve në
Fakultetin Filologjik në Shkup.

Xhevat Gega do të habilitojë në temën Opusi letrar i Adem Gajtanit, kurse në vitin 1992 me
sukses do ta mbrojë punimin e disertacionit të doktoratës në temën Letërsia e nacionalitetit
shqiptar në Republikën e Maqedonisë 1945 – 1985 dhe do ta fitojë titullin shkencor doktor i
shkencave filologjike.

Punimet dhe angazhimet profesionale
1. Dr. Xhevat Gega brenda aktiviteteve të tija pedagogjike e profesionale – shkencore zhvilloi
edhe një veprimtari të rëndësishme lidhur me tekstet mësimore për nevojat e NB “Prosvetno
dello” dhe Entit për botimin e teksteve mësimore nga Prishtina. Ka përkthyer edhe 15 tekste
mësimore për arsimin fillor e të mesëm, si edhe është autor i një numri të madh tekstesh
origjinale. Më të rëndësishmet janë Abetarja – botimi i parë në vitin 1970 e që do të pësojë

ribotime gjatë viteve dhe adaptime sipas plan programeve mësimore të arsimit fillor
nëntëvjeçar deri në kohët e tashme, fletoret e punës për klasat I – IV me disa ribotime,
Letërsia me teorinë e letërsisë për klasën e parë të shkollave të mesme, Gramatika për klasën
IV dhe V, Letërsia me shembuj për klasën e parë të arsimit të mesëm. Ka qenë bashkëpunëtor
në përgatitjen e planeve e programeve mësimore për gjuhën dhe letërsinë shqiptare,
bashkëpunëtor dhe pjesëmarrës në seminare për ngritjen permanente të arsimtarëve për
shkollat e mesme me tema të ndryshme nga fusha e letërsisë dhe metodikës së mësimdhënies
së gjuhës dhe letërsisë shqiptare të organizuar nga ana e Entit Pedagogjik Republikan të
Maqedonisë.

2. Është autor i një veprimtarie madhore përkthyese, ka me dhjetëra tituj të përkthyer nga
maqedonishtja dhe letërsitë jugosllave. Xhevat Gega ka dhënë një kontribut të rëndësishëm
në zgjedhjen dhe përkthimin e materialeve për Mbrëmjet Strugane të Poezisë, Takimet e
Racinit, Institutin e letërsisë pranë Fakultetit Filologjik në Shkup (si udhëheqës i projektit), etj.
3. Si anëtarë i Komisionit të ortografisë i vitit 1963, i themeluar për të dhënë kontributin në
vendosjen e rregullave dhe shmangies së lëkundjeve në drejtshkrimin e gjuhës shqipe, Xhevat
Gega jep kontributin profesional për përgatitjen dhe merr pjesë aktive në punën e Konsultës
gjuhësore të Prishtinës mbajtur në vitin 1968, duke mbështetur qëndrimin: “Një komb – një
gjuhë letrare.

Punimet shkencore
1. Në pasqyrën e bibliografisë të profesorit dr. Xhevat Gega, përfshihen mbi 100 punime
profesionale dhe shkencore. Ai ka marrë pjesë në mbi 30 simpoziume shkencore në vend dhe
në botë. Ka përkthyer 20 libra nga maqedonishtja dhe serbokroatishtja në shqipe si dhe nga
shqipja në maqedonishte (B. Koneski, S. Janevski, T. Arsovski, M. Krlezha, G. Todorovski, J.
Plevnesh, R. Shabani, etj.)

2. Listën selektive të punimeve mund ta grupojmë në tri fusha të ndara, duke i veçuar më
karakteristiket:
I. Punime nga letërsia e vjetër dhe e re shqiptare;
II. Punime për pikat puqëse në mes letërsisë shqiptare dhe asaj maqedonase;
III. Punime nga fusha e letërsisë shqiptare në Maqedoni.

3. Dr. Xhevat Gega në veprimtarinë e tij shumëvjeçare pedagogjike e shkencore, ka treguar
interes të theksuar, afinitete të veçanta në paraqitjen, kërkimin dhe shpalljen e rezultateve
nga proceset zhvillimore të letërsisë shqiptare me tërësinë e saj, nëpërmjet përfaqësuesve të
saj më të spikatur. Vëmendje të veçantë meritojnë punimet mbi Jeronim De Radën, Fan Nolin,
Naim Frashërin, Luigj Gurakuqin, S. Spasen, etj. Vend qendror në këto punime zë studimi
shkencor Mbi poezinë origjinale të Fan Nolit dhe gjenezën e saj politike, të botuar në “Jehona”,
4-5/1965 dhe e përfshirë në vëllimin mbi kritikën e Nolit, botuar në veprat e tij të zgjedhura
në botim të “Rilindjes”, Prishtinë 1968, f. 154-192.

Në këtë studim të rëndësishëm, me pothuajse ndërmarrje monografike për Fan Nolin,
personalitetin qendror në historinë e re shqiptare dhe të letërsisë shqiptare në përgjithësi,
Xhevat Gega arrin t’i caktojë vlerat universale të poezisë së tij, tiparet e saj motivore –
stilistike në kontekst të traditës letrare shqiptare, por edhe origjinalitetin e këtij personaliteti
të spikatur të historisë, kulturës dhe letërsisë shqiptare. Me këtë studim Xhevat Gega është
cituar nga shumë studiues të cilët janë marrë me këtë figurë tek ne dhe jashtë. Vëmendje të
veçantë meriton edhe studimi shkencor i Xhevat Gegës Filip Shiroka – Luigj Gurakuqi, në
kuadër të zgjedhjes së krijimtarisë së tyre (në zgjedhje dhe redaksi të tij), të botuar në
Beograd më 1962, me çka vërehet përpjekja, bashkë me studimet mbi Naim Frashërin, De
Radën, S. Spasen etj., për ta rrumbullakuar prezantimin e përhershëm të letërsisë shqiptare
në dimensione më të gjera dhe monografike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button