Historia e heqjes së imuniteteve parlamentare

A do të jetë Saimir Tahiri,i 26 në rradhën e deputetëve të parlamentit shqiptar, për të cilët që prej vitit 1992 parlamentit shqiptar i është kërkuar t’u hiqet imuniteti?!

Prokuroria e Krimeve të Rënda prej dy ditësh po kërkon nga Kuvendi heqjen e imunitetit dhe lejimin e arrestit për deputetin dhe ish ministrin e brendshëm socialist, Saimir Tahiri, i dyshuar sipas Prokurorisë së Krimeve të rënda si pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës. Nga debatet e forta për akuzën dhe për provat që po e rrethojnë këtë kërkesë, kjo çështje ka krijuar dhe do të lerë pas shumë polemika, shkruan RTSH.

Historia e heqjes se mandatit të deputetit dhe hetimi për deputetë të parlamentit shqiptar, ka nisur që prej vitit 1992, me imunitetin e Ilir Metës, asokohe deputet socialist në opozitë.

Por ngjarja më e fortë do të vinte një vit më vonë me heqjen e imunitetit dhe më pas burgosjen e liderit të opozitës socialiste, Fatos Nano, në vitin 1993. Edhe atëhere akuzat bazoheshin mbi një hetim në Itali, por ku nuk përfshihej Nano, i cili u dënua nga gjykata shqiptare me 12 vjet heqje lirie. Një dënim që për shumë kënd më shumë se sa me drejtësinë, u tha se kishte lidhje me politikën.

Në vitit 1994, parlamenti i hoqi imunitetit deputetit të PD-së në pushtet, Arben Lika, i akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre dhe i dënuar nga gjykata me burg. Pothuajse në të njëjtën periudhë parlamenti rrëzoi kërkesën për heqjen e imunitetit dhe ‎arrestimin e dy ish figurave qendrore të PD, ish ministrave Genc Ruli e Rexhep Uka, çka shënoi një krisje të fortë brenda kësaj partie, edhe pse u komentua si rebelim i një pjese të madhe të deputeteve ndaj udhëheqjes në disatancë të PD nga Sali Berisha, në atë kohë President i Republikës.

Në vitin e trazuar 1997, Kuvendi votoi unanimisht heqjen e imunitetit për Gafurr Mazrekun e PS-së, pas plagosjes me armë zjarri në ambjentet e parlamentit të deputetit demokrat Azem Hajdari.

Një vit më vonë, pas ngjarjeve të 14 shtatorit 1998‎, shumica e majtë votoi heqjen e imunitetit për kreun e PD-së, Sali Berisha dhe anëtarët e grupit të tij parlamentar Pjetër Arbnori, Leonard Demi, Vili Minaroli, Shaban Memia, Jemin Gjana.

Viti 2004 shënoi një debat tjetër të fortë në Parlament për kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit demokristian, Nikoll Lesi, pasi prokuroria e akuzoi për nxjerrje të sekretit shtetëror.

Më tej, me kërkesë të organit të akuzës, i dyshuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre, pas seancave të gjata në komisionin e mandateve të imunitetit në 2007, u vendos heqja e imunitetit për Lulzim Bashën.

Një vit më vonë, në 2008, pas tragjedisë së Gërdecit, parlamenti i hoqi imunitetin deputetit republikan dhe ish ministrit të mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Po në 2008, Hajrulla Paturri, deputetit tjetër republikan iu hoq imuniteti, pas një incidenti në një ndeshje futbolli.
Në të njëjtin vit, në 2008, parlamenti shqiptar i hoqi imunitetin deputetit të LSI-së, Nikollaq Neranxi, për korrupsion dhe evazion fiskal, ndërsa u debatua edhe kërkesa për heqjen e imunitetit të deputetit socialis Andis Harasanit, që akuzohej për incidente me punonjësit e Gardës së Republikës.

Historia e heqjes së imunitetit të ligjvënësve, vijon në 2011, kur parlamenti i hoqi mandatin deputetit socialist Ilir Beqja, për konflikt interesi dhe evazion fiskal, çështja e të cilit u shqyrtua edhe nga Gjykata Kushtetuese. Edhe ‎Dritan Priftit, në këtë vit iu hoq imuniteti pas historisë së njohur të videopërgjimit me Ilir Metën.

‎Pas ngjarjeve të 21 Janarit 2011, një tjetër debat për heqjen e imunitetit u zhvillua në Kuvend, këtë radhë për deputetët e PS-së, Tom Doshi, Taulant Ballës dhe Besnik Bares.

Heqjet e imunitetit kanë vijuar ne 2015 deputetit demokristian Mark Frroku, pasi autoritete e drejtësisë belge, e akuzonin për vrasje. Ndërkohe që edhe nje tjeter socialist, Armando Prenga‎ u përball me Gjykatën për një incident të armatosur në Laç.

Ndërsa në 2016, Kuvendi votoi për mandatin e deputetit socialist Koço Kokëdhima, i akuzuar‎ për shkelje në përdorimin e fondeve publike duke qenë njëkohësisht deputet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button