Alibeaj i shfaq videon Tahirit: Ja si e ha fjalën ti, më 17 tetor the se e refuzoje imunitetin

Deputeti demokrat Enkelejt Alibeaj ka debatuar me deputetin Saimir Tahiri në Këshillin e Rregullores. “Ja si e ha ti fjalën dhe nuk ke guxim të përballesh me Prokurorinë” i ka thënë ai duke duke shfaqur një video në celular ku Tahiri para disa ditësh deklaronte se refuzonte çdo imunitet vetëm që e vërteta të zbulohej.

Alibeaj: Z. avokat, në datë 17, në një konferencë për shtyp, klienti juaj në cilësinë e deputetit ka shprehur opinionin e vet për hetimin penal nën dritën e fakteve që kanë dalë e tekstualisht ka thënë këtë gjë: “Refuzoj çdo lloj privilegji dhe çdo lloj imuniteti dhe dua që hetimi të shkojë deri në fund për të arritur deri tek e vërteta”. Me ç’kuptoj unë, në atë moment vullneti i klientit tuaj ka qënë si një standart moral që duhet përshëndetur. Ka thënë me të madhe në publik që refuzon imunitetin, refuzon mbrojtjen, pra të kërkesës që do të vinte eventualisht nga Prokuroria për arrest, për heqje lirie, kontroll banese apo çdo vendi tjetër. Kë duhet të marrim të vërtetë: Klientin tuaj që në datën 17 shprehu atë vullnet apo klientin tuaj sot që thotë se “dua të mbrohem, dua privilegjin e imunitetit”?

Përgjigjet avokati Hajdari:  Nuk më lehohet të përgjigjem politikisht, por po ju përgjigjem juridikisht se kërkesa duhet të drejtë, e ndershme, e sinqertë dhe jo abuzive. Kjo duhet marrë në konsideratë me atë që deputeti duhet të jetë i qetë të ushtrojë detyrën. Dhe kjo është ndjesi profesionale.

Debati erdhi pasi ish-ministri nën hetim, Tahiri, deklaroi pak më herët krahas avokatit të tij: “Nuk kam asnjë lloj tundimi për t’u impresionuar apo vënë në provë nëse dua të hetohem apo jo. Jua them qartazi, prerë dhe me fytyrën lart dhe tërësisht i hapur: Unë do të jem këtu dhe nuk do të lëviz asnjë sekondë derisa të dalë e vërteta! Të hetohet dhe të bëhet gjithçka  derisa të dalë e vërteta!

Unë i përkas asaj race që respekton këdo që mendon se mund të nxjerrë të vërtetën. Unë do të kërkoj çdo provë që e vërteta të dalë pa asnjë lloj hezitimi. Por unë do të refuzoj çdo lloj abuzimi politik të çdo lloj llumi të rrugës të më vërë mua pesha të padrejta mbi shpinë. Kërkesa ime për drejtësi nuk është përulje para askujt,” tha Tahiri duke nxitur kështu Alibeaj t’i provonte të kundërtën me videon.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button