fbpx

Gjysmë viti pas së enjtes së përgjakshme vetëm një dënim me burg

 

Ka kaluar gjysmë viti pas sulmit të përgjakshëm që ndodhi më 27 prill në Kuvendin e Maqedonisë, kur deputetë dhe gazetarë u rrahën nga qytetarë të Maqedonisë, të cilët besonin se qeveria e re dëshiron ta ndajë dhe ta federalizojë (shtetin), njofton NOVATV, transmeton Portalb.mk.

Deri tani para gjyqit janë sjellë dhunuesit, gjegjësisht vetëm ata ë cilët, në incizimet që janë në dispozicion, qartë shihet se janë duke rrahur, ndërsa për organizatorët-inspiruesit e krejt asaj dhune dhe për deputetët të cilët e lëshuan popullin e tërbuar të hyjë në Kuvend, deri tani s’ka të hapur asnjë procedurë gjyqësore.

Gjatë ndërhyrjes në Kuvend u lënduan deputetë, gazetarë por edhe demokracia e një shteti të brishtë i cili vite me radhë është duke qëndruar para portave të Bashkimit Evropian dhe po kërkon hyrje në familjen evropiane.

Sulmi në Kuvend ndodhi derisa shumica aktuale qeveritare bënte përpjekje të zgjedhë kryetar të ri të Kuvendit. Disa javë më parë, mbështetës të VMRO-DPMNE, të nxitur nga gjuha e urrejtjes së Nikolla Gruevskit – kryetar i partisë, protestuan para institucionit ligjvënës, për të shfaqur pakënaqësinë e tyre për shkak të krijimit të koalicionit të ri qeveritar.

SHUMË PYETJE NGELËN PA PËRGJIGJE PËR SHKAK TË INFORMACIONEVE TË KLASIFIKUARA

Populli po hynte në Kuvend në disa grupe, por derisa ende mbahej pres-konferenca e kryetarit të porsazgjedhur të Kuvendit – Talat Xhaferi dhe liderit të LSDM-së Zoran Zaev, pjesa më e madhe e gazetarëve ishin në sallën ku mbahen pres-konferencat e deputetëve.

Pasi në televizionin që gjendet në sallë e pamë se populli po përpiqej të hynte në Kuvend, u lash pres-konferencën dhe dola jashtë për të parë se çfarë po ndodhte. Para derës së Pres-qendrës qëndronte një pjesë e sigurimit të kuvendit dhe disa anëtarë të sigurimit të Zaevit dhe ministrit për punë të brendshme, Oliver Spasovski. Ata po shtyheshin dhe po përpiqeshin të parandalojnë dhjetëra persona të hyjnë në pres-sallë. Nuk kishte popull tjetër, vetëm këto persona”, thotë njëri nga gazetarët të cilët i përcillnin ngjarjet në kuvend.

Ishte e qartë se këta persona nuk kishin hyrë bashkë me turmën tjetër. Për shkak se nëse e tërë turma do të kishte hyrë përnjëherë, askush s’do të mund t’i ndalte para hyrjes së Pres-qendrës.

Polici, përveç sigurimit të kuvendit, nuk kishte prandaj edhe s’kishte kush të intervenojë, thotë bashkëbiseduesi jonë.

Por, kush i kishte lejuar këto persona të hyjnë dhe nga cila anë kishin hyrë në Kuvend ende nuk dihet – policia nuk iu ka përgjigjur këtyre pyetjeve, ndërsa sipas incizimeve që janë publikisht në dispozicion, në të cilat shihet se si disa deputetë të VMRO-DPMNE-së i hapin dyert, shihet se si e tërë turma turret në Kuvend. Që donë të thotë se ky grup i personave kanë qenë  të lëshuar të hyjnë posaçërisht në institucionin ligjvënës, para se dyert t’iu hapen edhe të tjerëve.

Ajo që po ndodhte në Pres-qendër ishte të paktën shqetësuese. Së pari dhjetëra persona me kapela dhe maska në kokë dhunshëm depërtuan në korridor dhe filluan ta kërcënojnë sigurimin, të thyejnë dyer dhe të shtyhen për të hyrë në dhomën ku gjendej lideri i LSDM-së”.

Një person nga sigurimi me pistoletë u përpoq ta mbrojë hapësirën rreth deputetëve dhe t’i shpërndajë demonstruesit. Një punonjës i sigurimit të kuvendit u lëndua, pasi demonstruesit disa herë e shtynë në tokë”, thonë gazetarët të cilët në ato çaste ishin gjendur para pres-sallës.

Ndër personat të cilët hynë të parët në Pres-qendër ishte edhe Igor Jug. Ai është udhëheqës i shoqatës “Vllado Çernozemski” nga Kumanova, shoqatë kjo që ishte pjesë e frontit patriotik. Para ngjarjeve në Kuvend, fronti bëri një deklaratë për opinionin publik se janë kundër mënyrës së punës së parlamentit maqedonas dhe u kërcënuan me masa tjera.

Jug tani gjendet në paraburgim, ndërkaq siç tha në një intervistë për televizion serb zbuluesi/agjenti serb Goran Zhivaljeviq, i cili më 27 prill ishte në Kuvend, pikërisht Jug ka qenë e planifikuar ta vrasë liderin e LSDM-së.

Në videot nga Pres-qendra mund të vërehet se si Jug gjatë gjithë kohës së ngjarjes e mban dorën mbrapa shpine, se sipas disa informatave jozyrtare, ai ka mbajtur revole me vete. Në një prej videove të cilat i gjetën gazetarët e NOVA TV mund të shihet se personat të cilët janë të parët që futen në Kuvend vijnë nga një anë e caktuar e Qendrës Tregtare të Qytetit dhe se nuk janë bashkë me pjesën tjetër të turmës e cila veç më është mbledhur pranë Kuvendit.

Nga policia maqedonase nuk ka përgjigje  për këto pyetje. (Ajo) I ofroi publikut informata të pamjaftueshme, ndërkaq raportin nga grupi i veçantë punues që punonte në zbardhjen e këtyre ngjarjeve e klasifikuan dhe e bën të paarritshëm për gazetarët dhe qytetarët.

POLICIA ARRITI PASI PËRFUNDOI RRAHJA

Protestuesit me shufra prej hekuri dhe karrige gjuanin deputetët dhe gazetarët. Sulmet ishin kundër deputetëve të LSDM-së, me ç’rast lideri Zoran Zaev përfundoi me ballë të përgjakur, ndërsa deputetët Maksim Dimitrieski, Damjan Mançevski dhe Radmilla Sheqerinska kishin lëndime të dukshme në kokë.

Zoran Zaev

Lëndimet më të rënda iu kishin shkaktuar deputetit të Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, i cili kishte ënjtje në tru nga lëndimet dhe goditjet që i mori nga protestuesit të cilët gjithashtu e kanë zvarritur nëpër korridoret e Kuvendit.

Brenda dhe rreth Kuvendit kishte më pak se 50 polic dhe ata nuk i penguan vagabondët. Protestuesit lëviznin lirshëm, fotografoheshin, thyenin, këndonin, rrihnin dhe u kërcënoheshin deputetëve dhe gazetarëve. Një pjesë e policëve u janë drejtuar në mënyrë miqësore vagabondëve dhe janë përshëndetur me ata.

Reaksioni i parë i vërtetë i policisë ishte rreth orës 22.00 kur erdhën njësi speciale nga brendia e Kuvendit dhe filluan t’i shtyjnë protestuesit jashtë nga  korridoret e kuvendit.

Automjetet me pjesëtarët e njësive speciale filluan të mbërrijnë pasi deputetët veç më ishin të lënduar. Reaksionin e dobët të policisë e pranoi edhe ministri i atëhershëm i punëve të brendshme, Agim Nuhiu, i cili paralajmëroi se do të kërkojë përgjegjësi nga të gjithë pjesëtarët e angazhuar në Shtabin Operativ, për arsyen përse policia nuk ka reaguar në kohë.

“Shtabi Operativ, i cili funksionon që nga fillimi i protestave, ishte formuar me kohë mirëpo policia sot nuk e kreu punën”, tha Nuhiu.

PROCEDURA GJYQËSORE VETËM PËR NJË PJESË TË SULMUESVE

Në Raportin e grupit punues të Ministrisë së punëve të brendshme për ngjarjet e 27 prillit thuhet se policia ka bërë lëshime dhe shkelje, të cilat janë në kundërshtim me Ligjin për policinë dhe se policia ka dështuar si pasojë e ndikimit politik. Gjithashtu, qëndron se i atëhershmi drejtor i Byrosë për Siguri Publike, Mitko Çavkov, më 27 prill në orën 17:59, ministrit të mëparshëm të punëve të brendshme, Agim Nuhiu, i ka dërguar SMS porosinë “Gjendja është nën kontroll”.

Nuhiu e ka paralajmëruar Çavkovin se gjendja në Kuvend mund të përshkallëzohet dhe nuk ka arritur të vendos kontakt telefonik me atë. Çavkov në Raport është identifikuar si fajtor për ngjarjet, për shkak se nuk ka reaguar dhe ka lejuar që të ndodhin sulmet.

Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim, nuk ka dërguar vlerësim në Shtabin Operativ të MPB-së për vlerësimin e gjendjes së sigurisë, gjë që ka ndikuar në procesin e vlerësimit të sigurisë dhe vendimmarrjes. Vlerësimin e duhur të sigurisë nuk e ka bërë as Shtabi Operativ dhe nuk ka qenë i aktivizuar.

Sektori i punëve të brendshme Shkup, në anën tjetër, nuk ka përdorur video-mbikëqyrjen e “Qytetit të Sigurt”, dera ka qenë e hapur nga brenda, nuk janë incizuar bisedat nëpërmjet radio-blloqeve, kurse janë zhdukur edhe dy hard disqe me video materiale.

Raportin, i cili ka karakter të klasifikuar, MPB-ja e dorëzoi në Prokurorinë Publike Themelore, ndërkaq është bërë në bazë të bisedave me 35 pjesëtarë të MPB-së, analizë e ngjarjes, këqyrje e video materialeve të televizioneve, video material zyrtar dhe nga audio bisedat prej terta sistemit të MPB-së.

Për lëshimet në punën, Ministria suspendoi 23 policë, ndërkaq kundër 45 të tjerëve ka iniciuar masa disiplinore.

Më 30 prill, Prokuroria Publike Themelore deklaroi se për tre ditë janë identifikuar pesëmbëdhjetë persona të përfshirë në trazirat që ndodhën në Kuvend. Pas grumbullimit të materialeve relevante për dëshmi, është nisur procedurë për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar se kanë kryer vepër penale – pjesëmarrje në turmë që do të pengojë person zyrtar në kryerjen e veprimeve zyrtare.

Për 14 persona, PPTh i propozoi gjykatësit në procedurë paraprake t’u përcaktohet masë paraburgimi. Për një person është propozuar përcaktim i masës për kujdes.

Më 3 maj, Prokuroria Publike, për njërin prej personave për të cilët MPB parashtroi lajmërim, vlerësoi se ekziston dyshim i bazuar se personi ka kryer vepër penale në turmë dhe ka shkaktuar rrezikim të përgjithshëm dhe është shqiptuar masë paraburgimi.

Tre ditë më vonë Prokuroria, pas dy kallëzimeve penale të parashtruar nga Ministria e punëve të brendshme kundër dy personave për vepër penale të kryer, pjesëmarrje në turmë, për një person, gjykatësit në procedurë paraprake i propozoi masa të kujdesit kurse për personin e dytë masa të sigurimit.

Më 8 maj Prokuroria Publike Themelore parashtroi Propozim/Akt-Akuzë kundër nëntë personave pjesëmarrës në trazirat në Kuvend. Të dyshuarit akuzohen për vepër penale të kryer, pjesëmarrje në turmë që do të pengojë person zyrtar të kryejë vepër zyrtare.

Më 10 maj, u identifikuan dy persona të përfshirë në sulmin ndaj deputetit Zijadin Sela, për të cilët ekziston dyshim i bazuar se kanë kryer vepër penale, tentim për vrasje dhe kërkoi masën paraburgim.

Më 23 maj, nëntë të akuzuarit për veprën penale, pjesëmarrje në turmë që do të pengojë person zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, në seancë gjyqësore u janë shqiptuar dënime me kusht, pasi u prononcuan fajtor.

Më 3 gusht, Prokuroria në Gjykatën Themelore 1 Shkup parashtrojë Aktakuzë për personin i cili e sulmoi deputeten e atëhershëm, tani ministre për mbrojtje, Radmilla Shekerinska.

Sipas aktakuzës, personi akuzohet me atë që gjatë ngjarjeve në institucionin ligjvënës ka ushtruar dhunë të ashpër, duke e tërhequr për flokë deputeten, me çka ajo ka marrë lëndime në kokë.

Seanca e parë gjyqësore u mbajt më 19 shtator, mirëpo u prolongua për shkak se avokati i caktuar me detyrë zyrtare kërkoi kohë për këshillime juridike. Më 6 tetor u mbajt seanca e dytë gjyqësore në të cilën i akuzuari Pançe Angellov, e pranoi fajin.

“E pranoj krejtësisht që jam fajtor. Kërkoj falje palës së dëmtuar dhe tërë publikut për veprën monstruoze që kam bërë. Qëllimi im nuk ishte për ta lënduar, desha ta largoj anash, mirëpo ndoshta përdora më shumë forcë. Sinqerisht pendohem për veprën që kam bërë dhe shpresoj që gjyqi do të ketë mirëkuptim për mua dhe të më shqiptojë dënim më të lehtë, për shkak se jetoj i vetëm dhe nëse shkoj në burg nuk kam kush të më ndihmojë”, tha i akuzuari në prononcimin e tij përmbyllës para Gjykatës.

Javën e kaluar, të akuzuarit Angellov, Gjyqi i caktoi dënim me burg prej 4 viteve. Për veprën penale Dhunë, dënimi është prej 3 deri 10 vite me burg.

dhunuesi-sheqerinka

Më 21 shtator është arrestuar dhe u paraburgos Igor Jug, për të cilin ekziston dyshim i bazuar se ka ndërmarrë vepra si udhëheqës i turmës në lidhje me ngjarjet në Kuvend, më 27 prill.

Sot me urdhër të Prokurorisë Publike Themelore janë arrestuar edhe pesë persona për tentativë për vrasje të deputetit Zijadin Sela. MPB publikoi edhe fotografi të 3 personave, pjesëmarrës në ngjarjet e përgjakshme nga 27 prilli dhe kërkoi ndihmë nga qytetarët për identifikimin e tyre.

Gjashtë muaj pas së enjtes së përgjakshme, nuk ka aktakuzë për asnjë nga organizatorët e protestave nga “Për Maqedoni të përbashkët” Boris Damovski, Igor Durlovski dhe Bogdan Ilievski.

Nuk ka aktakuzë as për deputetët Krsto Mukoski, Johan Tarçullovski dhe Sasho Vasilevski të cilët i hapën dyert e Kuvendit dhe e drejtonin turmën se ku mund t’i gjejnë deputetët e LSDM-së, BDI-së dhe Aleancës së Shqiptarëve. Përgjegjësi nuk ka edhe për drejtorin e atëhershëm të Byrosë për siguri publike, Mitko Çavkov.

Deputetët të cilët i hapën dyert e Kuvendit dhe i lejuan turmës të hyjë Krsto Mukoski dhe Sasho Vasilevski ende janë deputetë në Kuvend, Johan Tarçullovski është kandidat i VMRO-DPMNE për kryetar të komunës Kisella Vodë dhe do të luftojë për funksionin e kryetarit të komunës në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale më 29 tetor. Ish drejtori i Byrosë për siguri publike, Mitko Çavkov, pas ngjarjeve shkoi në pension, transmeton Portalb.mk.

ÇKA I PARAPRIU 27 PRILLIT TË PËRGJAKSHËM

Në një atmosferë të ndezur e cila filloi kah fundi i vitit të kaluar, pas zgjedhjeve që u mbajtën më 11 dhjetor, pyetja kryesore ishte vallë VMRO-DPMNE do të ngelë në pushtet me partnerin e koalicionit nga blloku shqiptar – BDI, ose vallë do të lejojë që LSDM të krijojë qeveri në krye me Zoran Zaev, personi i cili i kishte publikuar bisedat ilegale telefonike.

Pasi dështuan përpjekjet e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së  për të krijuar shumicë parlamentare qeverisëse e me atë edhe qeveri, lideri i partisë, Nikolla Gruevski, në intervistë në njërën nga televizionet më të shikuara në Maqedoni, Sitel, e ftoi popullin “të mos rrijë në shtëpi me papuçe dhe të pret dikush tjetër t’ia kryen punën”

Gjatë zhvillimit të negociatave mes LSDM-së dhe BDI-së, Gruevski më 27.02.2017 deklaroi.

“Dua t’iu them të gjithë qytetarëve, se nëse ata mendojnë dhe planifikojnë që duke qëndruar në shtëpi me papuçe dhe duke shikuar televizion, se dikush tjetër do t’ua mbrojë shtetin, ata janë në iluzion të thellë. Shtetin në një situatë të këtillë mund ta mbrojë vetëm populli. Kjo mund të tregohet me vepër dhe (populli) të shfaqë sjellje të ndryshme dhe të tregojë se ka kapacitet dhe vullnet e forcë ta mbrojë shtetin e vet.

(Unë) Besoj se populli do të veprojë dhe nuk do të pajtohet me atë që po i përgatitet. Politikanët, ata të cilët po luftojnë dhe mbrojnë, nuk do të munden të vetmuar… vetëm populli është ai që mund të ndërhyjë dhe ta kryejë punën lidhur me mbrojtjen”, që më vonë bëhet praktikë në çdo deklaratë të tij në vijim.

Muajin e radhës, ai paraqitet edhe në një televizion i cili e mbështeste politikën e Gruevski, Kanal 5, ku në një retorikë të ashpër e përsëriti se “askush nuk e din si do të reagon populli“.

„Çka do të bën populli, askush nuk mund ta parashikojë. Populli është mbi politikanët dhe le t’i mendojnë mirë ata politikanë që shkojnë kundër popullit. Ai që shkon kundër vullnetit të popullit i rrënon interesat e tij, duke realizuar interesa të një shteti të huaj, forcave tjera, ai le ta mendojë mirë se çka mund ta gjejë nga populli.

Shteti është i sulmuar, VMRO ka vetëm 51 deputetë… dhe nuk mundemi vetë ta mbrojmë të vetëm Parlamentin. Është e nevojshme që populli ta mbrojë shtetin e vet… shtetin mund të zhduket nëse i lihet këtij njeriu dhe skenaristëve të tij të çojnë deri në fund planin e tyre”.

“VMRO=DPMNE do të reagojë ashpër, ndërsa duhet të pritet edhe populli të bëjë të njëjtën gjë sipas asaj që mund ta shohim. Mos të mendojë ai (mendon për Zoran Zaev, vërejtja jonë) se ajo punë do të kalojë ashtu dhe se populli do të qëndrojë duarkryq” porositi Gruevski.

Përgjegjësi kanë kërkuar të gjitha partitë politike si dhe faktorët e komunitetit ndërkombëtar, por ngjarjet e 27 prillit tani-për-tani “po qëndrojnë pezull në ajër”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button