MEPSO duhet BERZH-it t’i paguajë penale prej pothuajse 800.000 euro për projekte të parealizuara

SHA MEPSO duhet t’i paguajë penale Bankës Evropiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim (BERZH) në vlerë prej pothuajse 800.000 euro për shkak të fillimit jo në kohë të projekteve për të cilat kompania ka marrë hua nga banka, në vlerë prej rreth 50 milionë eurosh.

Kjo, siç thekson drejtori i përgjithshëm dhe kryetar i KD të SHA MEPSO, Sasho Vasilevski, në intervistë për MIA-n, është notuar në vërejtjet në raportin preliminar të Entit Shtetëror për Revizion (ESHR) për punë materialo-financiare të kompanisë. Revizionin e ka porositur menaxhmenti paraprak i MEPSO-s, ndërsa rezultatet janë konfirmuar edhe në revizionin intern që e kanë zbatuar të gjithë drejtorët resorë gjatë pranim-dorëzimit të funksioneve me kërkesë të menaxhmentit të ri.

“Para rreth dhjetë ditëve kishim takim me përfaqësues të ESHR-së, për shkak se, në pajtueshmëri të rregullave të punës së tyre, para përgatitjes përfundimtare të raportit ata praktikojnë që edhe menaxhmentit paraprak por edhe atij të ri t’ua prezantojnë vërejtjet  që të mundet menxhmenti paraprak, që ishte i përfshirë në revizion, të kërkojë korrigjim dhe t’i tregojë vërejtjet e tij para se të finalizohet dokumenti. Një nga vërejtjet më të rëndësishme është se MEPSO duhet t’i paguajë penale BERZH-it për shkak të fillimit jo në kohë të projekteve për të cilët MEPSO ka marrë hua nga banka. Kompania ka lidhur marrëveshje me BERZH-in për hua prej rreth 50 milionë euro për ndërtim të projekteve më të mëdha të cilat menaxhmenti paraprak për arsye të pakuptueshme nuk i ka aktivizuar në kuptim të përgatitjes së dokumentacionit të tenderit dhe hapjes së procedurave për realizimin e projekteve. Për këtë arsye erdhëm në situatë për penale për projekte të parealizuara të BERZH-it që t’i paguajmë shumë prej rreth 800.000 euro”, saktësoi Vasilevski.

Raporti i ESHR-së, thuhet, ende zyrtarisht nuk është gati, ndërsa pritet që versioni final t’i dërgohet MEPSO-s deri në fund të muajit ose në fillim të muajit të ardhshëm.

“Menaxhmenti i ri, menjëherë pas marrjes së funksionit, u ballafaqua edhe me një problem tjetër. Bëhet fjalë për një firmë e cila nga shkurti, e deri në momentin kur morën funksionin, kompanisë tonë i ka mbetur borxh rreth 48 milionë denarë. Nuk e di se nëse kjo është bërë me vetëdije ose pa vetëdije, por fakt është se ekziston punë joligjore. Nga ana e menaxhmentit paraprak nuk është aktivizuar garancia financiare dhe në pajtueshmëri të rregullave nuk është informuar kompania për pagesën jo në kohë ndaj MEPSO-s. Me këtë janë njoftuar institucionet shtetërore, ndërsa procedura është në vijim dhe shpresoj se do të ketë zgjidhje përfundimtare”, potencoi Vasilevski.

Në intervistë për MIA-që e cila e plotë do të publikohet të premten, drejtori i përgjithshëm i MEPSO-s foli edhe për procedurën për heqjen e largpërçuesit të MEPSO-s për shkak të së cilit nuk është lëshuar në qarkullim autostrada nga Demir Kapia deri në Smokvicë, revitalizimin e Trafostacionit Dubrovë, lidhjen interkonektive me Shqipërinë, projektet kapitale që planifikohet të realizohen në periudhën e ardhshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button