Qeveria e Kosovës flet pas formimit në Serbi të Grupit për Dialogun

Qeveria e Serbisë ka formuar një grup punues për, siç është thënë, mbështetjen e dialogut me Kosovën, ndërsa kryetar të këtij grupi ka zgjedhur drejtorin e Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq, njofton Arbresh.info.

Detyra e këtij grupi është t’iu ofrojë ndihmë organeve përkatëse, organizatave dhe trupave, në procesin e zhvillimit të dialogut për Kosovën si dhe të përcjellë e të koordinojë aktivitetet që organet përkatëse shtetërore i ndërmarrin në procesin e zhvillimit të dialogut për Kosovën.

Analisti politik, Donika Sallova lidhur me formimin e këtij grupi punues nga ana e Serbisë ka thënë se Kosova duhet të ketë kujdes dhe të mos përfshihet në kurrfarë dialogu i cili është skicuar nga Serbia.

“Kosova duhet të ketë kujdes dhe të mos përfshihet në kurrfarë dialogu i cili është skicuar nga Serbia. Vuçiqi është duke promovuar idenë e një “dialogu të brendshëm”, në Serbi, por kjo nuk i intereson Kosovës. Kosova duhet t’i vejë objektivat e veta në dialog dhe mos të futet më pa kushte, sepse siç kemi parë dialogu i ka shërbyer Serbisë e jo Kosovës”, ka thënë Sallova.

Sipas tij Kosova duhet të kërkojë ndihmë nga ShBA-të në mënyrë që këto të fundit t’i bëjnë presion BE-së dhe Serbisë .

“Vet fakti i mos pjesëmarrjes së gjyqtarëve serbë në betim te presidenti, tregon sa i dështuar është dialogu me Serbinë në këtë format. Kosova duhet t’u kërkojë ndihmë veçanërisht ShBA-ve, që ato t’i bëjnë presion BE-së dhe Serbisë që nuk ka për të ecur përpara në integrime pa një marrëveshje “njohëse ose normalizuese “, me Kosovën”, ka thënë ai.

Arbresh.info lidhur me formimin e këtij grupi punues ka kërkuar përgjigje edhe nga Qeveria e Kosovës se cili është qëndrimi i kësaj të fundit pasi që ky grup do të punojë për dialog në mes Kosovës dhe Serbisë, por përgjigja e tyre e vetme ka qenë që nuk dëshirojnë t’i komentojnë zhvillimet brenda shtetit fqinjë.

“Kjo është një çështje e brendshme e shtetit të Serbisë dhe Qeveria e Kosovës nuk i komenton zhvillimet brenda shtetit fqinj”, janë përgjigjur në Qeverinë e Kosovës.

Përderisa nga Qeveria e Kosovës nuk kanë dashur të komentojnë lidhur me këtë grup punues, edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi kohë më parë ka paralajmëruar krijimin e një ekipi të unitetit për bisedimet me Serbinë.

“Mendoj se kjo është marrëveshja finale dhe historike në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë dhe këtu duhet të marrin pjesë të gjithë, jo vetëm të kritikohet apo akuzohet dikush. Mendoj që bartësit e institucioneve, partnerët e koalicionit, partitë opozitare, personalitetet publike me ndikim, shoqëria civile dhe media, duhet të jemi të gjithë së bashku që këtë proces ta shtyjmë përpara, sepse në këtë proces ose do të fitojmë të gjithë, apo do të lëndohemi të gjithë në kuptimin e asaj që të mos vonohemi”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kundër këtij ekipi të unitetit e ku sipas presidentit do të përfshihen të gjithë duke përfshirë edhe opozitën, shoqërinë civile, e mediet janë shprehur edhe shumë analistë në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button