Rasti “Sopot”: PSP si dëshmi dorëzoi “bombën”, bisedën telefonike mes Mijallkovit dhe Jankullovskës (VIDEO)

Prokuroria Speciale Publike (PSP) ia dorëzoi gjykatës CD-n me bisedën telefonike të inçizuar mes drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkov dhe ish-ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska si dëshmi në procedurën e rastit “Sopot”, njofton Portalb.mk.

Është dorëzuar edhe bisedë audio nga Ministria e Punëve të Brendshme me dëshmitarin Ramadan Bajrami. Këto janë një pjesë e dëshmive plotësuese të cilat PSP-ja ia ka dorëzuar gjykatës për gjykimin e përsëritur për rastin.

Avokati i të akuzuarve, Naser Raufi tha se do të kërkojnë në gjykatë si dëshmitarë të dëgjohen Mijallkovi dhe Jankullovska.

Gjashtë të akuzuarit mbeten në qëndrimet që i kanë dhënë më herët në gjykatë. Katër të akuzuarit janë të pakapshëm, ndërsa njëri ka ndërruar jetë.

PSP propozon se si dëshmi të dëgjohen gjashtë të punësuarit në DSK si dhe ekspertë të cilët i ka angazhuar PSP-ja. Gjykimi është shtyrë për 23 nëntor me kërkesë të mbrojtjes, që të ketë kohë t’i shqyrtojë dëshmitë e reja.

Seanca paraprake më 9 tetor u anulua me propozim të mbrojtjes, e cila kërkoi kohë shtesë për përgatitje, për shkak të ndryshimit të gjykatësve në këshillin penal dhe marrjes së rastit nga ana e Prokurorisë Publike Speciale.

Prokuroria Publike Themelore për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsion në korrik të këtij viti ia kanë dorëzuar lëndën “Sopot” PSP-së, pasi në opinion u publikuan biseda të funksionarëve të lartë të lidhura me këtë rast.

Ndryshe, nga materialet e përgjuara të publikuara nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, dëgjohet se si ish-ministrja e MPB-së, Gordana Jankullovska dhe ish-shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, diskutojnë për rastin në fjalë dhe thonë se të akuzuarit pafajsisht janë burgosur.

Rasti “Sopoti” ka histori prej 14 vitesh. 12 banorë nga fshati Sopot u akuzuan se në mars të vitit 2003 kanë vendosur eksploziv në rrugën lokale Sushevo-Sopot, ku në këtë eksplodim u vranë dy anëtarë të kontingjentit polak të NATOS dhe një civil maqedonas. Kjo ndodhi dy vjet pas konfliktit të vitit 2001, kur Maqedonia ende po e merrte veten nga pasojat që i shkaktuan veprimet e armatosura edhe në planin e sigurisë edhe atë ndëretnik. Të akuzuar janë dhjetë persona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button