5 fraza të mençura nga Lao-Tzu, për të reflektuar thellë…

Lao-Tzu është një fjalë kineze që do të thotë “mësuesi plak”. Është gjithashtu emri i një filozofi dhe mendimtari, i cili supozohet të ketë jetuar rreth shekullit VI para Krishtit dhe të cilit i atribuohet shkrimi i Daodejing, “Libri i Jetës dhe Virtytit”, shkruan Bota.al. Kjo figurë, megjithatë, ende sot e kësaj dite është e mbështjellënë mister, aq sa shumë dyshojnë nëse ka ekzistuar me të vërtetë.

Por e sigurtë është se trashëgimia e tij intelektuale ka mbijetuar deri më sot. Nëse kjo është vepër e një njeriu të vetëm ose disa personave, ndoshta, nuk ka shumë rëndësi. Ajo që ka rëndësi është se ka arritur të formojë mësimet që kanë mbërritur deri tek ne sot, mijëra vite më vonë.

Lao-tzu ka lënë një trashëgimi të madhe sa i përket mençurisë. Mendimi i tij pasqyron disa parime themelore të kulturës orientale. Është një himn për maturinë, thjeshtësinë dhe qetësinë. Lartëson vlerat e inteligjencës dhe moderimit. Bota.al po boton në shqip sot, pesë prej aforizmave të tij të mrekullueshme, të cilat padyshim ndihmojnë për të reflektuar.

1. Lumturia në sytë e Lao-Tzu

Lao-Tzu reflektonte shumë për lumturinë. Ideja e këtij filozofi Lindor, shumë shekuj para ardhjes së konsumizmit, ishte se është e nevojshme të çlirohesh nga zotërimet. Një nga frazat e tij të pavdekshme, në të cilën ai trajton këtë temë, thotë: “Kushdo që nuk është i kënaqur me pak, nuk do të jetë i kënaqur as me shumë”.

Ky reflektim na fton të fusim lumturinë brenda një kornize, që nuk varet nga ajo që kemi. Në këtë mënyrë, të kesh pak nuk është sinonim i pakënaqësisë. Ashtu si të kesh shumë nuk do të thotë që të jesh i lumtur. Mirëqenia arrihet nga një realitet që nuk ka të bëjë me zotërimet. Lumturia dhe pakënaqësia janë brenda nesh, jo në ato që na rrethojnë.

2. Mbi ngurtësinë dhe fleksibilitetin

Shumë njerëz janë të bindur se qëndrueshmëria dhe vertikaliteti janë virtyte të mëdha. Megjithatë, kjo perspektivë nuk gjen vend në logjikën e jetës. Ku ka jetë, ka ndryshim. Dhe ku ka ndryshime, duhet të ketë edhe përshtatje. Jeta nuk kërkon që ne të qëndrojmë të fiksuar si një shkop çeliku, por të rrjedhim si një rrëke uji.

Lao-Tzu na ka lënë një reflektim të mrekullueshëm në këtë pikë: “Njeriu i gjallë është i butë dhe vazhdimisht evoluon. Kur vdes, ai bëhet i ngurtë dhe i pandryshueshëm. Bimët në diell janë elastike dhe të përkulshme. Por kur vdesin, ato janë të thara dhe të rrudhosura. Kjo është arsyeja pse çdo gjë që është e butë dhe fleksibile është e lidhur me jetën, ndërsa ajo që është e pandryshueshme, po i afrohet vdekjes”.

3. Të duash dhe të të duan

Shumë kohë para shfaqjes dhe shpërndarjes së doktrinave humaniste, Lao-tzu na ofronte një vizion të dashurisë si energji. Filozofi thekson dallimin që ekziston kur do dhe kur të duan, në një nga aforizmat e tij më të famshme: “Kur të tjerët na duan thellësisht, na japin forcë; kur i duam të tjerët thellësisht, na japim kurajë”.

Ekziston një dallim i hollë, por themelor midis forcës dhe kurajës. Forca mund të përkufizohet si aftësia fizike ose subjektive për të bërë diçka. Kurajo, nga ana tjetër, i referohet vendimit dhe vullnetit për ta bërë këtë. Forca është që të jesh në gjendje të bësh. Kurajo, është dëshira për ta bërë. Dallimi emocional midis dy koncepteve është i madh. Ndërsa vullneti çon në pushtet, në fakt, e kundërta nuk ndodh gjithmonë.

4. Dëshira dhe zhgënjimi

Kultura orientale është shumë e vëmendshme ndaj refuzimit të dëshirës. Në fakt ajo konsiderohet si një burim i vuajtjeve të panumërta. Filozofia e tyre është më e orientuar drejt aftësisë për të hequr dorë nga ajo që keni, në vend se aftësisë për të kërkuar atë që dëshironi. Besnik ndaj këtij mendimi, Lao-tzu e pasqyron në këtë mënyrë:

“Ata që nuk dëshirojnë, nuk provojnë asnjë zhgënjim. Dhe ata që nuk ndihen të zhgënjyer, nuk bëhen të ligj. Pra, i mençuri i vërtetë pret me qetësi që çdo gjë të ndodhë, pa e dëshiruar. Vetëm atëherë paqja mund të mbretërojë dhe bota mund të ndjekë rrugën e saj natyrore”.

Në kulturën tonë perëndimore, ky mendim mund të duket pothuajse absurd. Ne jetojmë në një shoqëri ku ambicia shihet si një burim i rritjes dhe përparimit. E megjithatë, realiteti i ditëve tona na ka treguar se dëshira mund të jetë edhe një pus pa fund, që fatkeqësisht nuk na kënaq kurrë.

5. Të luftosh, a të tërhiqesh?

Lindja është djepi i arteve marciale. Megjithatë, paradoksalisht, shumica e këtyre arteve kanë parimin e përpjekjes për të shmangur luftimet. Mësimi më i madh i luftës, në të vërtetë, është nevoja për t’u angazhuar për ta shmangur atë. Kjo është filozofja e Lao-Tzu: “Libri i strategut thotë: Mos provokoni luftën, pranojeni atë. Është më mirë të sprapsesh me një metër, se të përparosh me një centimetër”.

Mendimi i Lao-Tzu është sigurisht një dhuratë e madhe dhe një burim i mençurisë. Ai na ofron jo vetëm një udhëzues për të mësuar artin e të jetuarit mirë, por përdor gjuhën e poezisë për t’i dhënë mësimet e tij. Sigurisht, kemi shumë për të mësuar nga ky personazh misterioz mijëvjeçar, i cili sot na duket më i gjallë dhe më real se kurrë. / Bota.al

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button