ANALIZË: Si është harxhuar dhe si është mbledhur buxheti i komunës së Tetovës?

Për shërbime kontraktuale, një zë i veçantë buxhetor, komuna e Tetovës për vetëm gjashtë muaj ka harxhuar 600.000 еuro, ndërsa për pagesën e rrogave diçka më shumë se 700.000 еuro. Janë harxhuar para edhe për shpenzime rruge dhe mëditje. Sa i përket të ardhurave, nga paratë e planifikuara në bazë të tatimit në pronë, për gjysmë viti janë mbledhur 27,7%, shkruan analiza javore e Portalb.mk. Në gjysmëvjetorin e parë ekonomik, komuna e Tetovës nga buxheti themelor ka harxhuar pothuajse 30.000 еuro më shumë se sa që ka mbledhur nga të ardhurat gjatë periudhës së njëjtë të analizuar në buxhetin themelor.

Për çka janë harxhuar paratë

Komuna e Tetovës ka planifikuar buxhet prej 17,1 milionë eurosh, ndërsa realizimi deri në fund të gjysmëvjetorit të parë ekonomik ka qenë 2,8 milionë euro apo vetëm 16,3 nga ajo që është planifikuar. Sipas të dhënave zyrtare nga Raporti për ekzekutimin e buxheteve të njësive të vetëqeverisjes lokale, që e publikon Ministria për Financa, pjesa më e madhe e parave nga buxheti themelor ka përfunduar për rroga ose deri në fund të qershorit, për rroga janë harxhuar 744.100 еuro që paraqet realizim prej 42,7% në krahasim me atë që është planifikuar. Për kontribute për sigurim social janë harxhuar 270.757 еuro dhe te ky zë buxhetor ka realizim prej 39,3% në krahasim me planifikimin.

Komuna e Tetovës nga buxheti themelor për shpenzime të rrugës dhe mëditje ka planifikuar të harxhojë pothuajse 67.000 еuro, ndërsa realizimi ka qenë 5.500 еuro. Nga zëri buxhetor “aktivitete vetë-financuese”, ose nga paratë që janë siguruar nga aktivitetet e vetë komunës, për shpenzime të rrugës dhe mëditje janë paraqitur shpenzime prej 400 еurosh, ndërsa nga dotacionet për këtë qëllim janë harxhuar 1.500 еuro, njofton Portalb.mk. Nga donacionet për shpenzime rruge dhe për mëditje janë harxhuar 8.353 еuro.

Zë buxhetor nëpërmjet të të cilit harxhohen shuma të konsiderueshme të parave është edhe ai për shërbime kontraktuese. Kështu, për këtë zë, për gjashtë muaj komuna e Tetovës ka harxhuar pothuajse 600.000 еuro nga buxheti themelor, ndërsa për aktivitete vetë-financuese për këtë qëllim janë harxhuar 64.000 еuro. Nga paratë që kanë hyrë në arkën komunale nëpërmjet dotacioneve, për shërbime kontraktuale janë harxhuar gjysmë milionë euro.

Me intervenimet e reja ligjore, edhe komunat janë të obliguara për transparencë më të madhe, gjegjësisht njësoj sikurse edhe Ministria për Financa, edhe ato duhet të publikojnë raporte të detajuara dhe të rregullta financiare, të cilat do të ofrojnë informata edhe për të hyrat edhe për shpenzimet e tyre.

Nga të dhënat që janë në dispozicion për shpenzimet e komunës së Tetovës, për gjysmëvjetorin e parë, mund të shihet se për komunalje, ngrohje, komunikime, mirëpo edhe për transport, komuna nga buxheti themelor ka harxhuar 300.000 еuro ose 29% nga ajo që është planifikuar. Nga dotacionet për këtë qëllim janë harxhuar 316.000 euro, ndërsa pak më shumë se 20.000 euro janë harxhuar nga aktivitetet vetë-financuese. 

Komuna nga buxheti themelor planifikon të blejë vetura, pajisje, makina dhe të bëjë punësime të përkohshme, mirëpo kjo, sipas të dhënave që janë në dispozicion nga buxheti themelor, tani për tani nuk është realizuar,njofton Portalb.mk. Vetëm nga aktivitetet për vetë-financim komuna ka harxhuar 5.200 еuro për mobilje, ndërsa për blerjen e pajisjeve dhe të makinave janë harxhuar 2.300 euro.

Për ndërtimin e objekteve ndërtimore, sipas planit nga buxheti themelor duhet të harxhohen 8,4 milionë euro, ndërsa në gjysmën e parë të vitit janë harxhuar pothuajse 640.000 еuro. Nëpërmjet zërit “transfere të ndryshme”, pa e theksuar se çka saktë përfshin kjo, për gjysmë viti janë harxhuar 65.000 еuro.  

Të hyrat në arkën komunale

Sa i përket të hyrave në buxhetin themelor, të cilat kanë qenë të planifikuara në vlerë prej 17,1 milionë eurosh, janë mbledhur pothuajse 2,8 milionë euro ose 16,3% nga buxheti i gjithmbarshëm themelor,njofton Portalb.mk. Në nivel vjetor, komuna vetëm nga tatimi në pronë ka planifikuar të ardhura në vlerë prej 2,7 milionë eurosh, ndërsa për gjashtë muaj ka mbledhur 750.000 еuro, apo gjatë kësaj periudhe si rezultat i këtij tatimi në buxhet janë mbledhur 27,7%.

Në nivel të gjysmëvjetorit diçka më të mira janë të dhënat për hyrat nga tatimi në të ardhura, tatimi në fitim dhe fitimet kapitale – janë planifikuar të ardhura prej 168.000 еurosh, ndërsa janë mbledhur 45,8% e parave, ose diçka më shumë se 77.000 еuro. Nga taksat dhe kompensimet, nëpërmjet aktiviteteve vetë-financuese, janë realizuar të ardhura në vlerë prej 237.000 еurosh. Nga gjobat, taksat gjyqësore dhe administrative për gjashtë muaj janë mbledhur 61.300 еuro.

Pse duhet transparenca?

Në prag të përfundimit të garës zgjedhore, përpara rrethit të parë, OJQ-ja “Eco guerilla” arriti që në tavolinë t‘i ulë kandidatët për kryetarë të komunës së Tetovës që ta nënshkruajnë dokumentin “Pesë përkushtimet ndaj tetovarëve”. Në të kërkohet nga shefi i ardhshëm i komunës së Tetovës t’u garantojë qytetarëve se administrata e ardhshme komunale do të angazhohet për transparencë të plotë fiskale (publikim të rregullt të raporteve financiare, borxheve publike, menaxhimit me buxhetin), që të organizojnë fshirje dhe pastrim të rregullt të rrugëve dhe të lagjeve të Tetovës, së paku njëherë në muaj, të organizojnë transport publik me autobusë që përmbushin standardet ekologjike, t’i mirëmbajnë e t’i mbrojnë hapësirat e gjelbra, por njëkohësisht të krijojnë dhe të reja, më shumë kompetenca dhe fuqi për inspektoratin ekologjik komunal, si dhe transparencë në gjobat që do ju vihen ndotësve të kategorisë B, dhe të fillojnë procedurat për shndërrimin e kazermës së Tetovës në park të qytetit.

Komuna e Tetovës, sipas vlerësimit të fundit të popullatës, numëron 91.571 banorë dhe konsiderohet qytet strategjik në pjesën veriperëndimore të Maqedonisë. Qyteti u bë i njohur edhe në suaza botërore, si një nga qytetet më të ndotura. Kjo ishte shkak që “të zgjohen” tetovarët dhe më me ngulm të kërkojnë nga pushteti komunal që të mos jetë vetëm vëzhgues memec i gjendjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button