Bushati: Në vitin 2018 Shqipëria do të marrë përgjigje për hapjen e negociatave me BE-në

Vitin që vjen Shqipëria do të marrë përgjigje për hapjen e negociatave me BE-në,  tha ministri  shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati sot në mbledhjen e Komisionit të Integrimit ku u diskutua për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.

“Frika në media e disa forcave politike për shkrirjen e Ministrisë së Integrimit është e kotë. Viti 2018 do të jetë një vit përcaktues. Për herë të parë BE-ja nuk pati konkluzione për procesin e zgjerimit. Është realiste që vitin tjetër Shqipëria të marrë përgjigje për hapjen e negociatave. Viti 2019 do jetë viti i zgjedhjes së institucioneve evropiane”, tha Bushati

Ndërkohë, deputeti i PD-së, Genc Pollo, ka pyetur ministrin se pse nuk u hapën negociatat para zgjedhjeve të 25 qershorit, siç tha kryeministri i Shqipërisë,  Edi Rama.

“Pse nuk u arrit hapja e negociatave siç tha Rama përpara zgjedhjeve? Pati tre kritere shtesë për integrimin. Lufta kundër korrupsionit, krimi i organizuar dhe droga. Çfarë iu bën optimist që do çelen negociatat në mes të vitit të ardhshëm?” deklaroi Pollo.

Në kundërpërgjigje, Bushati ka thënë se nuk ka asnjë kusht shtesë për integrimin dhe se nuk duhet helmuar publiku me komente të tilla.

“Nuk ka asnjë kusht shtesë për integrimin. Ata nuk janë kushërinjtë tanë. Nuk na mbajnë me hatër. Të mos e helmojmë publikun me të tilla komente. Në 2016 erdhi bota mbarë për t’iu bindur të votonit Reformën në Drejtësi. Ju thoni ka tre kushte shtese, unë them që nuk asnjë kusht shtesë”, shtoi Bushati.

Bushati ndër të tjera ka folur edhe në lidhje me kërkesën e kosovarëve për shtetësinë shqiptare në mënyrë për të përfituar nga liberalizmi i vizave. Bushati tha se nuk i takon atij të komentojë presidentin e Kosovës Hashim Thaçi duke shtuar se për këtë ka folur presidenti Meta.

“Presidenti i Kosovës përfaqëson një shtet sovran. Nuk është etike të komentoj unë. Ka folur presidenti Meta për këtë çështje. Zgjidhja më e mirë për të adresuar bllokimin e lëvizjes për shtetasit shqiptarë të Kosovës është liberalizimi i vizave”, ka thënë ministri i jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button