OSBE/ODIHR: Zgjedhjet kontribuan në përforcimin e besimit në procesin demokratik

Vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve lokale të 15 tetorit në Republikën e Maqedonisë, përmes një konferencë për shtyp konkluduan se mbajtja e zgjedhjeve lokale të 15 tetorit në Republikën e Maqedonisë kontribuoi në përforcimin e besimit në procesin demokratik, raporton Anadolu Agency (AA).

Ata theksuan se zgjedhjet u zhvilluan në një ambient konkurrent, ku kandidatët në përgjithësi kishin mundësi të zhvillojnë fushatë pa kufizime, ndërsa liritë themelore për tubim dhe liritë e shprehjes në përgjithësi u respektuan.

Mirëpo, vëzhguesit ndërkombëtar theksuan disa mangësi, të tilla si ndryshimi i vonshëm i Kodit Zgjedhor që rezultoi me ndryshimin e përbërjes së Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), gjë për të cilën ata thanë se është në kundërshtim me praktikën e mirë ndërkombëtare.

“Edhe pse procesi akoma nuk ka përfunduar, në këto zgjedhje u pa përparimi demokratik i këtij vendi dhe u rrit besimi i votuesve në procesin zgjedhor. Shpresojmë se kjo do të vazhdojë edhe në rrethin e dytë”, tha Audrey Glover, shefe e Misionit për vëzhgimin e zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it.

“Në përgjithësi, zgjedhjet e djeshme lokale ishin në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe ne shpresojmë se kjo do të jetë kontribut për zhvillimin e mëtejshëm të qëndrueshëm në nivel lokal, me qëllim që të përmirësohen kushtet për jetesë për të gjithë qytetarët e këtij vendi”, tha Karim Van Overmeire, shef i Delegacionit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës.

Vëzhguesit ndërkombëtarë theksuan se çështja e pjesëmarrjes së grave në jetën publike nuk u trajtua në fushatë dhe se KSHZ përmbushi kërkesën për përfaqësim gjinor prej 30 për qind, megjithatë, kjo, sipas tyre, nuk është respektuar gjithmonë në nivelet më të ulëta. Ata poashtu theksuan se dy partitë më të mëdha dominuan në reklamimin me pagesë në mediat private.

Në lidhje me financimin e fushatës, ata potencuan se edhe pse kjo gjë është përmirësuar gjatë viteve të fundit, në përputhje me rekomandimet e mëparshme, nuk është siguruar plotësisht transparencë përkatëse.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button