Thaçi: Shqipëria e ka detyrim kushtetues t’u japë pasaporta shtetasve kosovarë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ka cilësuar si “detyrim” kushtetues dhe ligjor pajisjes me pasaporta shqiptare të shtetasve kosovarë.

Thaçi i kthen kështu një përgjigje indirekte presidentit shqiptar Ilir Meta, i cili, gjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë, tha se kërkesa e Kosovës për një gjë të tillë rrezikon lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë.

Mes të tjerash, në një intervistë për “DW”, kreu i shtetit të Kosovës ka theksuar se Komisioni Europian ka një qasje diskriminuese ndaj Kosovës, duke parë mungesën e liberalizimit të vizave nga ana e BE-së.

“Pas izolimit klasik që u ka bërë BE-ja qytetarëve të Kosovës dhe mbylljes së çdo vrime të shpresës që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm në zonën Shengen, ne duhet të kërkojmë që këtë problematikë ta zgjidhim edhe në rrafshin kombëtar aq sa mund të zgjidhet. Kërkesa ime është e drejtë kushtetuese dhe ligjore duke respektuar kushtetutën e Kosovës, por është edhe e drejtë dhe obligim kushtetues dhe ligjor i Shqipërisë. Ne duhet të jemi realistë, të gjithë njërëzit e politikës në Kosovë duke përfshirë bartësit e institucioneve, ministrat, deputetët, elitat në Kosovë, të gjithë kanë pasaporta shqiptare dhe në të njëjtën kohë kanë edhe shtetësinë e Kosovës dhe po ashtu mund të marrin shumë shpejtë viza në ambasadat në Kosovë, – u shpreh Thaçi. – Por, kush janë të privuar nga e drejta për lëvizje të lirë, studentët, janë nganjëherë edhe njerëzit e biznesit, janë qytetarët e rëndomtë. Prandaj, Shqipëria mendoj se duhet të sillet në mënyrë të përgjegjshme duke i kryer obligimet e saja kushtetuese. Ky mund të jetë një vendim që më tepër ka karakter fisnik dhe human. Kërkesa ime nuk është presion ndaj Shqipërisë por është nevojë, kërkesë fisnike dhe shumë humane. Shqipëria mendoj se do të sillet përgjegjshëm dhe përsëri kërkesa ime është edhe me e fuqishme sot që edhe Presidenti Meta edhe kryeministri Rama të jenë në kryerje të obligimeve kushtetuese dhe ligjore por edhe të përgjegjësive kombëtare që t’ua lehtësojnë qytetarëve të Kosovës lëvizjen e lirë nëpër zonën Shengen”.

Mendoni se me kaq lehtësi mund të kalojë kjo kërkesë e juaja përballë bashkësisë ndërkombëtare? “Shqipëria e ka obligimin kushtetues dhe ligjor, ndërsa ne e kemi të drejtën kushtetuese dhe ligjore. Derisa është diçka e lejueshme me kushtetutë dhe ligj, atëherë duhet të jetë e pranueshme edhe në veprim institucional qeveritar të të dy vendeve”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button