fbpx

Kasami: Gostivari është i rëndësishëm dhe do ta ketë mbështetjen e Lëvizjes BESA

Tubim parazgjedhor nën moton “Për jetë të re” mbrëmë në Qendrën e kulturës në Gostivar mbajti Lëvizja BESA, në të cilin e prezantuan programin parazgjedhor.

Lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami konsideron se fitorja në Gostivar do të jetë e rëndësishme edhe për shqiptarët edhe për Rajonin e Pollogut dhe dërgoi porosi se do të fitojnë në këto zgjedhje.

“Lëvizja BESA është këtu për t’i dhënë besim Gostivarit. Kandidati ynë Asaf Ademi do të jetë kryesues i Gostivarit dhe do ta çojë komunën përpara. Pollogu është zemra e shqiptarëve në Maqedoni dhe prandaj kemi shumë projekte për zhvillimin e këtij rajoni. Me Asaf Ademin, do të keni mbështetje nga Evropa për zhvillim të Gostivarit dhe mbështetjen e të gjithë shqiptarëve në rajon”, tha Kasami.

Kandidati për kryetar komune nga radhët e Lëvizjes BESA, Asaf Ademi përmendi se komunës së Gostivarit i paraprijnë investime të rëndësishme.

“Kemi projekte të cilat do t’i zgjidhin problemet me të cilat përballen banorët e Gostivarit. Njëri prej projekteve tona më të rëndësishme është gazifikimi i qytetit. Parashikojmë edhe hapje të zonës së lirë ekonomike në pronësi të komunës, me çka do ta zvogëlojmë papunësinë”, tha Ademi.

Bartësi i listës së kandidatëve për anëtarë të këshillit komunal Arafat Shabani i përmendi problemet me të cilat qytetarët e Gostivarit janë përballur viteve të fundit.

“Gostivari me vite të tëra është lënë mënjanë, është harruar. Në çdo sferë të jetës ndjejmë mangësi, në arsim, e shkatërruan mjedisin  jetësor, lejuan që të rinjtë të largohen. Ata erdhën si çlirues, por nuk kanë bërë asgjë tjetër përveç që i mbushën xhepat dhe i punësuan anëtarët e partisë. Me ne këto punë do të përfundojnë njëherë e përgjithmonë, që të gjithë të jemi të barabartë”, tha Shabani.

Nga foltorja, fjalime patën edhe shefi i Shtabit zgjedhor, Emërli Asani, deputeti Fadil Zendeli dhe anëtari i Bordit qendror Rufat Alili.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button