OKB: “Komedia Hyjnore” të hiqet nga shkollat, fyen Muhamedin

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka marrë dje një raport nga agjencia e saj këshillimore, Gherush 92 që “Komedia Hyjnore” e Dante Aligerit duhet të hiqet nga kurrikulimat shkollore të mbarë botës, pasi është vepër antisemite, islamofobike, raciste.

Mediat mbarë botërore e përcollën lajmin me shqetësim, pasi vetë grupi i studiuesve që i ka dhënë këtë këshillë OKB-së, është një grup serioz mendimet e të cilit OKB-ja e Ban Ki Munit i zbaton në projekte konkrete. Presidentja e këtij grupi, Valentina Sereni, deklaroi për mediat ndërkombëtare se “vepra epike e Dantes është ofensive dhe diskriminuese, e për këtë arsye nuk ka vend për të në klasat moderne”.

Lajmi për ndalimin e Dantes nëpër shkollat mbarëbotërore, përfshi këtu edhe Shqipërinë, ka gëzuar vetëm muslimanët, të cilët janë të njëjtit mendim sa i takon kryeveprës “Komedia Hyjnore”. Agron Hoxha, përfaqësuesi i komunitetit musliman, u shpreh dje se “kjo këshillë është me vend pasi Dante në “Komedinë Hyjnore” ironizon të gjitha fetë monoteiste, si krishtërimin ashtu dhe islamin”.

Sipas Hoxhës, Dante i ka njohur mirë religjionet, mes tyre edhe islamin, pasi mësuesi i tij Bruno Latini u pat shkolluar në Anadaluzinë muslimane. “Dante Aligeri në veprën e tij “Komedia Hyjnore” ka përdorur aspekte të vetë islamit për të ironizuar dhe demonizuar fenë. Në këtë kontekst ne e shohim si një këshillë me shumë vend”, – shprehet më tej Agron Hoxha.

Sipas tij, çdo gjë që cënon harmoninë, dialogun, frymën e mirëkuptimit mes popujve dhe mes besimeve, qoftë në kontekstin kombëtar apo edhe atë global duhet penguar. “Duhen gjetur mënyrat për t’u penguar këto vepra që cënojnë pikërisht këtë ekuilibër, nuk duhen promovuar. Çdo gjë që shtyn njerëzimin drejt intolerancës duhet të pengohet, prandaj e theksoj edhe njëherë se kjo këshillë është shumë me vend, edhe pse vepra e Dantes është një vepër e Mesjetës”, – theksoi dje Hoxha.

Ndërsa intelektuali dhe përkthyesi i njohur Edmond Tupja thekson se një këshillë e tillë e kësaj agjencie, e bërë OKB-së, është një këshillë e gabuar. “Jam rritur me “Komedinë Hyjnore” të Dantes, jam ushqyer më të dhe tani nuk mund ta pështyj dot, pasi kjo vepër, si shumë vepra të tjera, jo vetëm ka kontribuar në formimin tim intelektual, por edhe më ka mësuar ta njoh më mirë njeriun, pra, edhe vetveten. Si intelektual i lirë, gjykoj se “Komedia Hyjnore” ka vlerat e një kryevepre.

Mendoj se kjo këshillë që i është dhënë OKB-së, është një këshillë e gabuar, madje e rrezikshme do të shtoja, sepse shumë mirë mund të ngrihen të krishterët dhe të kërkojnë të heqin, fjala vjen, Firdusin apo Omer Khajamin, që mund të kenë ose kanë edhe ata ngjyresa fetare në veprat e tyre. Unë për vete jam ateist, por mendoj se vlerat e veprave të tilla si ajo e Dantes mbeten në themelin e shoqërisë sonë në shkallë planetare dhe këtë e ka treguar dhe e ka vulosur koha”.

Në këngën XXVIII të Ferrit Muhameti, profeti i muslimanëve, është përshkruar si përçarës dhe Islami si një herezi. “Profetit vetë iu dha një dënim i tmerrshëm; duke ia ndarë trupin nga mjekrra deri në pjesën e pasme, në atë mënyrë që zorrët t’i varen nga këmbët, imazh që fyen kulturën ismalike. Ndërsa Aliut, pasardhësi i Muhametit, e ka të çarë kokën nga mjekrra deri te flokët.

Fyerja është më e dukshme, pasi trupi i çarë dhe i gjymtuar i Muhametit është krahasuar me një fuçi të thyer, vetë fuçia është objekt që mban verën, që është e ndaluar nga kultura islame”, është shprehur dje për mediat ndërkombëtare presidentja e Gherush 92, Valentina Sereni. Sipas saj, për përshkrimin e figurës së Muhametit janë përdorur terma vulgarë dhe imazhe të tmerrshme që janë lënë jashtë përkthimit në gjuhën arabe, të cilën e ka bërë Hassan Osman, një filolog i njohur, pasi këto konsideroheshin si vepër penale. Sereni shprehet se “Komedia Hyjnore” përçon mesazhe antisemite. “Kënga XXXIV, është pjesë e këtij studimi që kemi bërë ne.

Lajme të ngjashme

Back to top button