Hamasi dhe Fatahu u dakorduan që Qeveria ta ndërmarrë përgjegjësinë në Gazë

Negociatorët e fraksioneve rivale palestineze Hamas dhe Fatah sot nënshkruan marrëveshje për pajtim në një ceremoni në Kajro.

Nënshkrimit i paraprinë negociatat dyditore në kryeqytetin e Egjiptit rreth sundimit me Rripin e Gazës.

Marrëveshjen e nënshkruan përfaqësuesi i Hamasit, Saleh al-Aruri dhe negociatori i Fatahut, Azam al-Ahmed. Pas ceremonisë, Al-Ahmed u deklaroi gazetarëve se është arritur marrëveshje e plotë të autorizohet Qeveria e unitetit kombëtar që ta ndërmarrë përgjegjësinë e plotë në Gazë.

Shefi i shërbimit zbulues egjiptian, Kalid Favi ishte i pranishëm gjatë nënshkrimit të marrëveshjes.

Përndryshe, negociatat ndërmjet Hamasit dhe Fatahut filluan të martën në Kajro dhe këto ishin përpjekjet më serioze që t’i jepet fund keqkuptimit 10 vjeçar ndërmjet dy organizatave më të mëdha palestineze.

Hamasi që më 11 shtator bëri të ditur se është i gatshëm të negociojë për pajtim me Qeverinë e presidentit palestinez Mahmud Abas “pa kurrfarë parakushtesh”.

Hamasi kërkoi nga Abasi të pezullojë masat e ndërmarra kundër grupit ekstremist islamik para se të fillojnë negociatat për arritjen e marrëveshjes për pajtim.

Kryeministri palestinez Rami al Hamdala, i cili është anëtar i Fatahut, në fillim të muajit e vizitoi Rripin e Gazës, në suaza të tentimeve për pajtim ndërmjet dy organizatave kundërshtuese palestineze. Fatahu ka kontroll mbi Bregun Perëndimor, derisa Hamasi më shumë se një dekadë e kontrollon Rripin e Gazës. Në takim me përfaqësuesit e Hamasit, Hamdala tha se rruga e vetme drejt shtetësisë është përmes bashkëpunimit ndërmjet të dy organizatave.

Ndarjet ndërmjet fraksioneve rivale palestineze ndodhën në vitin 2007, kur Hamasi nga Gaza i dëboi forcat lojale të Abasit. Prej atëherë pati shumë tentime të pasuksesshme për pajtim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button