Në Tetovë debat për integrimet euro-atlantike

Në Universitetin Shtetëror të Tetovës sot në organizim të Këshillit Euro-Atlantik të Maqedonisë u mbajt tribunë publike me titull “Përforcimi i dialogut rinor për promovim të proceseve demokratike, në frymën e integrimeve euro-atlantike”.

Sipas zëvendësministrit të Mbrojtjes Bekim Maksuti, qëllimi i tryezave të rrumbullakëta dhe debateve të këtilla është që të ndikohet ndaj të rinjve për mirëkuptim më të mirë të gjithë procesit dhe inkuadrim të tyre në aktivitetet për anëtarësimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike.

“NATO nuk janë vetëm çështje ushtarake, ose çështje të Ministrisë së Mbrojtjes, por ajo është edhe organizatë që angazhohet edhe për zhvillim të shkencës, arsimit, ndërsa kontribuon edhe për ballafaqim me fatkeqësi elementare, promovon vlera për paqe dhe stabilitet”, tha Maksuti.

“Maqedonia sillet dhe de fakto është anëtare e NATO-s përmes pjesëmarrjes në shumë misione paqësore nëpër vatrat e krizave në botë ku NATO është e pranishme, si dhe përmes pjesëmarrjes në trupat dhe institucionet e organizatës. Përveç këtyre treguesve dhe faktit se nga muaji i kaluar Maqedonia është anëtare e programit të NATO-s kushtuar avancimit të arsimit, së bashku me aktivitetet e tjera pozitive dhe nga ana jonë dhe nga ana e tyre është shenjë mjaftueshëm e mirë se do të bëhemi anëtare e plotfuqishme e Aleancës Veri-Atlantike”, tha Maksuti.

Për kryetarin e Këshillit Euro-Atlantik të Maqedonisë Ismet Ramadani definitivisht duhet të sqarohet se në NATO dhe BE nuk mund të hyhet vetëm me qëndrim deklarativ por nevojitet përmbushje e kërkesave dhe kritereve nga të dy organizatat që plotësohen njëra me tjetrën.

“Mënyra e re e komunikimit të Qeverisë me fqinjët dhe masat dhe aktivitetet pozitive dhe proaktive në këtë drejtim merr mbështetje edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Në këtë mënyrë me mbështetjen dhe fuqinë nga brenda dhe ndihmën nga jashtë dëshmojmë se mund t’i tejkalojmë pengesat në këtë proces dhe se në vend të një vendi problematik tani jemi partner që kontribuon për paqe, stabilitet dhe respektim të vlerave të NATO-s dhe BE-së. Në këtë mënyrë kam përshtypje se edhe adutët e Greqisë në problemin rreth emrit të vendit tonë pjesërisht po neutralizohen”, deklaroi Ramadani.

Në tribunën publike në Tetovë mori pjesë edhe ambasadorja e Kroacisë në Maqedoni Daniella Barishiq, e cila theksoi se vendi i saj e mbështet Maqedoninë në rrugën drejt anëtarësimit në familjen euro-atlantike për shkak se i kupton nevojat dhe sfidat e Maqedonisë në këtë proces.

“Ne gjatë kohë ishim pjesë e një shteti të përbashkët, kemi mentalitet të ngjashëm dhe nuk kemi barrierë gjuhësore për mirëkuptim të ndërsjellë. Sepse Kroacia mund t’ju ndihmojë në atë mënyrë që gabimet që ne i kemi bërë gjatë anëtarësimit në NATO dhe BE ju të mos i përsërisni dhe t’i kaloni. Edhe në Kroaci kishte kohë kur për të gjithë mendonim se i kemi armiq për shkak se kishin kërkesa dhe çështje për ne që ishin të ndjeshme dhe të pakëndshme por koha tregoi se problemi ka qenë tek ne. Pasi e tejkaluam atë së bashku me Shqipërinë u bëmë anëtare të plotfuqishme e NATO-s, edhe pse bashkërisht nga viti 2003 ishim pjesë e Kartës së Adriatikut”, theksoi Barishiq.

Nga Këshilli Euro-Atlantik i Maqedonisë paralajmëruan se tribuna dhe tryeza të rrumbullakëta të këtilla në këto tema do të organizojnë edhe nëpër më shumë qytete të tjera në shtet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button