Serbia letër BE-së: Katalonja si Kosova

Aleksandar Vuçiç deklaroi se teksti i letrës që Serbia do t’i dërgojë BE-së për referendumin e Katalonjës ka përfunduar dhe ai e ka vënë tashmë firmën e tij, por me kërkesë të Spanjës që i druhet një përshkallëzimi të situatës, ka vendosur që Brukselit t’ia nisë në një datë më të vonë, transmeton Top Channel.

Në një konference për shtyp me komisionerin e BE-së për ndihmën humanitare dhe menaxhimin e krizave, Christos Stylianides, Vuçiç shpjegoi se kryeministrja Ana Brnabiç – e nisur drejt Belgjikës të martën- do ta nënshkruajë letrën pas vizitës së saj, sapo të ketë marrë aprovimin e ekzekutivit.

Kjo shtyrje, sipas kreut të shtetit Serb, nuk nënkupton se ai vetë dhe qeveria do të reshtin së kërkuari një përgjigje nga Bashkimi Europian, më së pari ndaj pyetjes sesi mëvetësia e Katalonjës nuk shpallet dot legjitime kur e njëjta gjë ishte e mundur me Kosovën.

Përpjekjet e Beogradit për të hequr paralele me situatën e Kosovës vazhdojnë pavarësisht sinjaleve të ndryshme, qoftë nga zyrtarë të bllokut, qoftë nga ish-figura të rëndësishme të BE-së, që tregojnë se nuk ka vend për krahasime. Zëdhënësi i Komisionit Europian, Margaritis Schinas u përpoq ta shpjegonte javën e kaluar se  ndarja e Kosovës erdhi në një kontekst “shumë specifik”, e adoptuar nga deklarata dhe rezoluta të shumta të kombeve të bashkuara dhe komunitetit ndërkombëtar.

Një ditë më parë, edhe ish-presidenti i Parlamentit Europian Josep Borell deklaroi se Katalonja nuk është një shtet si Kosova ku te drejtat e njerëzve ishin shkelur sistematikisht.

Shkëputja e Kosovës u realizua përmes negociatash të ndërmjetësuara nga komuniteti ndërkombëtar në vazhdën e procesit të kryesuar prej tij që synonte përcaktimin e statusit të saj politik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button