Zaev u takua me ministrat e jashtëm të Suedisë dhe Finlandës

Respekt për politikat e miqësisë dhe mbështetje për proceset reformuese dhe perspektivat euroatlantike të Maqedonisë shprehën ministrat e punëve të jashtme të Suedisë dhe të Finlandës, Margot Vallstrom dhe Timo Soini gjatë takimit të sotëm me kryeministrin Zoran Zaev.

Në takim morën pjesë edhe ministrat e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, të Arsimit dhe Shkencës, Renata Deskoska dhe të Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska.

“E ardhmja e Republikës së Maqedonisë është në Bashkimin Evropian, i inkurajojmë dhe i mbështesim reformat e Qeverisë që çojnë drejt eurointegrimeve të vendit”, është porosia që e transmetuan ministrat nga Suedia dhe Finlanda.

Vallstrom dhe Soini, siç kumtoi Qeveria, shprehën respekt për politikat e miqësisë që po i zhvillon kryeministri Zaev dhe Qeveria dhe përmes të cilave i zgjidhin çështjet me interes për të gjithë qytetarët dhe për shtetin.

Gjithashtu dy ministrat i kumtuan qëndrimet e shteteve të tyre për mbështetje të zgjerimit të BE-së.

Zaev deklaroi se Qeveria përmes politikave inkluzive në vend dhe marrëdhënieve të mira miqësore me fqinjët po i hap perspektivat euroatlantike, sepse qëllim strategjik i Maqedonisë është anëtarësimi në BE dhe në NATO, që për vendin do të thotë stabilitet dhe siguri, por edhe interesim më i madh për të investuar në Maqedoni dhe zhvillim të ekonomisë.

“Tashmë i rrumbullakësuam reformat nga afati tremujor të parapara në Planin 3-6-9, me të cilat ndërtojmë institucione të pavarura, gjyqësi, mediume…sipas standardeve evropiane, e me atë do ta përmirësojmë edhe cilësinë e jetës së qytetarëve”, tha kryeministri Zaev, i cili transmetoi edhe pritje për lëvizje pozitive të Maqedonisë por edhe të tërë rajonit drejt qëllimeve euroatlantike.

Kryeministri Zaev iu falënderua shefave të diplomacive të Suedisë dhe Finlandës për mbështetjen dhe miqësinë ndaj Maqedonisë dhe paralajmëroi zbatim të shembujve të suksesshëm nga të dy shtetet në proceset reformuese në vend, siç janë përvoja nga modeli i suksesshëm i arsimit në Finlandë dhe vendimet e qëndrueshme nga modeli i burimeve ripërtëritëse të energjisë nga Suedia.

Në takim është konkluduar se perspektivat euroatlantike do të thonë për Republikën e Maqedonisë dhe për tërë rajonin përparim në planin ekonomik, zhvillim social dhe të ardhme të qetë, që do t’i motivojë të rinjtë ta shohin dhe planifikojnë të ardhmen e tyre në vendin e tyre.

Është konstatuar gjithashtu se të ardhme të mirë për të gjithë sjell koncepti i Qeverisë për ndërtim të Maqedonisë në një shoqëri për të gjithë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button