“Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë të ardhme evropiane”

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, pas takimit me ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, Markot Wallström dhe atë të Finlandës, Timo Soini, deklaroi se homologët e tij ndodhen në Maqedoni “që personalisht të shohin vendosmërinë e fuqishme të vendit për ta gjetur përsëri rrugën evropiane dhe për të mos e humbur atë rrugë përsëri”, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ata vijnë në një moment shumë të rëndësishëm, edhe në lidhje me axhendën e reformës së brendshme, por edhe në lidhje me aktivitetin tonë të politikës së jashtme, në hapjen e kësaj rruge, por edhe në hapjen e dyerve ndaj fqinjëve tanë. Bëhet fjalë për dy vende nga të cilat kemi çfarë të mësojmë dhe të cilat janë burim i frymëzimit, jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për rajonin dhe më gjerë, në lidhje me atë se si i kanë organizuar shoqëritë e tyre në interes të qytetarëve suedezë dhe finlandezë”, deklaroi Dimitrov.

Nga ana tjetër, ministrja suedeze, Markot Wallström, theksoi se Suedia dhe vendi fqinj i saj, Finlanda, do të angazhohen më tepër në çështjen e zgjerimit dhe që Ballkani Perëndimor të qëndrojë në krye të axhendës së Bashkimit Evropian.

“Ne jemi dy vende që i takojmë atyre vendeve të BE-së që besojnë në zgjerim dhe se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një të ardhme evropiane. Ne ju inkurajojmë për të vazhduar përpjekjet për reforma, që tashmë jeni duke i ndërmarrë”, u shpreh Wallström.

Ndërkaq, ministri finlandez, Timo Soini, theksoi se vendi i tij plotësisht mbështet perspektivën e Maqedonisë për t’iu bashkuar BE-së.

“Natyrisht për të rinjtë dhe shoqërinë është shumë e rëndësishme që sundimi i ligjit dhe sistemet të punojnë, sepse ajo ju mundëson të fitoni investime dhe poashtu për t’i mbajtur të rinjtë këtu, madje edhe për t’i kthyer disa prej tyre. Kjo është shumë thelbësore për të ardhmen e vendit tuaj”, tha Soini.

Shefat e diplomacisë të të tre vendeve më herët zhvilluan takim kokë më kokë, si dhe takim plenar mes delegacioneve të Ministrive të Punëve të Jashtme. Pas takimit në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Shkup, ata bashkarisht u drejtuan për takim me kryeministrin e vendit, Zoran Zaev.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button