Recension për librin ,,Rrapi shekullor – Idriz Ajeti”

Recension për librin ,,Rrapi shekullor – Idriz Ajeti” të autorëve Bahtijar Kryeziu dhe Begzat Baliu të botuar nga SHB “ERA”, Prishtinë

Kur flasim dhe shkruajmë për meritat e akad. I. Ajetit, nuk kemi parasysh vetëm gjuhëtarin, profesorin, hartuesin e disa teksteve shkollore, përkthyesin etj., por vështruar më gjerë, flasim për një nga kolosët e albanologjisë sonë të shek. XX – XXI, intelektualin dhe gjuhëtarin shqiptar të dimensioneve ballkanike dhe më gjerë. Është më se e vërtetë se emancipimi ynë kombëtar do t’i detyrohet në një shkallë të ndjeshme dhe rolit e veprës së Ajetit. Ky emancipim do të ketë të bëjë në radhë të parë me gjuhësinë, me fjalën shqipe, po edhe me kulturën, me mendimin shqiptar, me ato ura komunikimi që ai hodhi në mes Kosovës dhe Shqipërisë. Akademik Idriz Ajeti synoi dhe punoi tërë jetën, që atdheu i tij, Kosova duke qenë e ndarë nga kufijtë politikë, të ndihej e të mendonte si Shqipëria për çështjet kyçe të kombit tonë, siç janë: gjuha, flamuri e kombi.
Ky libër i bashkautorëve prof. dr. Bahtijar Kryeziut dhe prof. dr. Begzat Baliut për jetën dhe veprën e Akad. Idriz Ajetit është shenjë nderimi dhe vlerësimi për veprimtarinë e shumanshme dhe ndihmesën e madhe në zhvillimin e kulturës shqiptare të këtij gjuhëtari të shquar. Kjo vepër vjen në kohën kur akademiku ynë mbush një shekull jetë, pra 100 vjet (ende është gjallë e shëndosh për ata që s’e dinë), madje edhe autorët në fillim të librit shkruajnë: një vepër nderimi për 100-vjetorin e lindjes. Por ky libër vjen, edhe kur vepra e tij më shumë se kurrë është e domosdoshme të bëhet e njohur për masat e gjera të kombit tonë, për t’i shërbyer, me gjerësinë e problemeve të trajtuara, me nivelin e lartë shkencor, me thellësinë e qartësinë e argumentimit, me përpikërinë e stilit dhe elegancën e tij, çështjes së afirmimit të mëtejshëm të kombit shqiptar, të cilit ai i shërbeu me devocion deri më sot.
Vepra, e shkruar me një stil të thjeshtë, përmban të dhëna kryesore të jetës e të veprimtarisë së akad. Idriz Ajetit, si dhe ndihmesën që ka dhënë ai, në të gjitha fushat ku ka punuar. Ajo ka 305 faqe gjithsej. Fillon me Mendime të akademik Idriz Ajetit ku veç tjerash, po i lexoj vetëm dy: Gjuha letrare s’është vetëm thesari i kulturës sonë, por edhe mjet i fortë për mbrojtjen e etnisë shqiptare; Në veprimtarinë e kulturës së gjuhës nuk mund të ketë suksese po nuk u edukua dashuria për gjuhën amtare, ndjenja e përgjegjësisë dhe qëndrimi i ndërgjegjshëm ndaj saj. Vazhdon me një shkrim të akad. I. Ajetit Për gjuhën shqipe që e ka shkruar më 1952.

Kreu I, Idriz Ajeti – ditëlindja njëshekullore e albanologjisë, përshkruhen momentet kryesore të jetës së I. Ajetit: lindja e tij më 26. VI. 1917 në katundin Tupallë të Jabllanicës së Epërme, shkollimin fillor në vendlindje dhe e mbaroi në Banjën e Sijarinë (1930), shkollën e mesme në Shkup (1938), studimet në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Zagrebit të cilat i filloi më 1938, madje në Degën e romanistikës, të cilin e përfundoi vetëm në vitin 1949 në Fakultetin e Filozofisë në Beograd; veprimtaria e tij si mësimdhënës në gjimnazin e Prishtinës (pas studimeve deri 1953; nga viti 1953 deri në vitin 1960, me cilësi lektori, puna e tij si mësimdhënës në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Beogradit; e deri në vitin 1958 kur dhe mbrojti disertacionin e doktoratës me temën: Zhvillimi historik i së folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë.
Autorët e librit, e paraqesin portretin e akad. Idriz Ajetin si njeri dhe si shkencëtar. Në të spikat atdhetari dhe ndërlidhjet kurdoherë të tij me zhvillimet arsimore dhe institucionale të Kosovës dhe të gjuhës shqipe kudo në ish-Jugosllavi, si dhe të albanologjisë së gjysmës së dytë të shekullit XX kudo në botë. Le të kujtojmë këtu angazhimin e tij në institucionet arsimore e shkencore: Seminari i Albanologjisë, Beograd; Konsultat gjuhësore të planifikimit gjuhësor të shqipes standarde (1952), (1957), (1963); Konsulta gjuhësore e Prishtinës (1968); Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, (1972); angazhimin në konferencën shkencore për Problemet aktuale të kulturës së gjuhës shqipe (1980), konferencën për gjuhën në Tiranë (1992), në të cilën fjala e tij ishte vendimtare në kundërshtimin e përpjekjes së një grupi gjuhëtarësh për të përmbysur konceptet teorike dhe historike të normës gjuhësore të shqipes letrare; në Konferencën shkencore – në 25 vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit, Tiranë (1997), në Këshillin Ndërakademik të Gjuhës Shqipe pas vitit 2000 etj.
Kreu II, Profesor Idriz Ajeti dhe albanologjia, autorët i qasen në disa anë, si:
duke rindërtuar formimin dhe ngritjen e institucioneve albanologjike të gjysmës së dytë të shekullit XX, në themelimin e të cilave profesor Ajeti është fjala e parë; duke diskutuar projektet fundamentale të albano-logjisë së shekullit XX, në të cilat profesor Ajeti del bardi i tyre; duke parë atakimet dhe mbrojtjen e albanologjisë në institucionet më të larta shtetërore e politike në momentet nyje të saj etj.
Ndonëse të vështira për t’u kapur nga një lexues i zakonshëm, në mënyrë të thjeshtë e të qartë, nga kreu III e deri në fund, janë paraqitur edhe përfundimet e arritura nga I. Ajeti në planin e shqipes së përbashkët letrare, në fushën e onomastikës, historisë së gjuhës shqipe dhe shkrimit të saj, momenti më i vjetër i gjuhës shqipe, për disa figura të rëndësishme të gjuhës dhe letërsisë shqipe, si: Pjetër Bogdani, Shtjefën Gjeçovi, pjesë të zgjedhura nga Kanuni i Lekë Dukagjinit etj.
Këtu lexuesi mund të mësojë se krahas kohëve të rënda, vitet e hegjemonnizmit serb, profesori ynë nuk stepej nga puna dhe vizioni i tij. Madje ―atij i takoi të jetë kryetar i komisionit prej nëntë anëtarësh që hartoi projektin më të plotë të Drejtshkrimit të shqipes në Kosovë më 1964, i cili projekt qe në hullinë e afrimit të varianteve letrare të shqipes edhe shërbeu si urë kalimi për miratimin e njëzëshëm të Projektit drejtshkrimor të botuar në Tiranë më 1967, e që kjo ndodhi, siç dihet, në Konsultën gjuhësore të mbajtur në Prishtinë në prill të vitit 1968, ku pesha e fjalës së I. Ajetit dhe roli i tij në këtë konsultë si dhe më pas në Kongresin e Drejtshkrimit janë të mirënjohura.
Libri “Rrapi shekullor – Idriz Ajeti” të autorëve Bahtijar Kryeziut dhe Begzat Baliut, i drejtohet një rrethi shumë të gjerë lexuesish, me dhe pa përgatitje të veçantë gjuhësore. Atje ata do ta njohin jo vetëm jetën dhe veprimtarinë e këtij personaliteti, që do të mbetet model për të ndjekur nga brezat e rinj të shkencëtarëve tanë, por do të mësojnë edhe ç’vend zë kjo veprimtari në tërësinë e kulturës shqiptare. Andaj, edhe akademikut tonë, i cili ka hyrë në shekullin II të jetës, edhe autorëve iu dëshiroj të kenë shëndet e suksese të reja në fushat përkatëse.

(Libri është promovuar gjatë punimeve të Seminarit XI Ndërkombëtar të Albanologjisë që u mbajt më 29 – 30 shtator 2017 në Universitetin e Tetovës)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button