Trump: Vetëm një gjë funksionon ndaj Koresë së Veriut

Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se “vetëm një gjë do të funksionojë”, sa iu përket marrëdhënieve me Korenë e Veriut, pasi vite të tëra bisedimesh me Penianin nuk kanë sjellë asnjë rezultat, shkruan Top Channel.

“Presidentë dhe administratat e tyre këtu kanë folur me Korenë e Veriut prej 25 vitesh”, shkroi shefi i Shtëpisë së Bardhë në rrjetin e preferuar social “Twitter”. “Por kjo nuk ka funksionuar”, shtoi më tej ai, pa dhënë ndërkohë ndonjë shpjegim të thelluar mbi këtë reagim.

Dy vendet në fjalë janë përfshirë në një retorikë të ashpër për shkak të aktiviteteve bërthamore të Koresë së Veriut, me Shtetet e Bashkuara që kanë ushtruar presion për ndalimin e testeve raketore.

Peniani ka njoftuar ndërkohë se së fundi ka testuar me sukses një bombë në miniaturë hidrogjeni, që mund të ngarkohet në një raketë me rreze të gjatë veprimi.

Presidenti Trump ka paralajmëruar në të kaluarën e afërt se do ta shkatërronte Korenë e Veriut, nëse do të ishte e nevojshme për të mbrojtur interesat kombëtare të Amerikës, por edhe aleatët e saj në rajon.

Udhëheqësi i Veriut komunist, Kim Jong-un lavdëroi të shtunën armët bërthamore, teksa i quajti “një parandalues i fuqishëm” që po i garanton sigurinë vendit të tij, sipas raporteve të medies shtetërore koreano-veriore.

Në një fjalim, ku adresoi “situatën e komplikuar ndërkombëtare”, ai tha se të tilla armë kanë garantuar “paqen dhe sigurinë në gadishullin korean dhe në verilindje të Azisë”, kundër “kërcënimeve të zgjatura bërthamore të imperialistëve amerikanë”.

Koreja e Veriut ka lëshuar së fundi dy raketa mbi Japoni, ndërsa ka sfiduar sanksionet ndërkombëtare kur zhvilloi testin e gjashtë dhe të më të fuqishmin bërthamor në muajin shtator. Madje, ajo premton të zhvillojë një tjetër test në oqeanin Paqësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button