Parlament, Ruçi përjashton Bashën nga seanca

Seanca e Kuvendit u ndërpre sërish pasi opozita qëndroi në foltore, ndërkohë që kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka përjashtuar kryetarin e PD-së Lulzim Basha nga seanca për ‘pushtimin’ e foltores, transmeton Top Channel.

Ruçi hodhi poshtë kërkesën e PD-së për debatin për komisionin e reformës zgjedhore pasdite, ndërkohë që me votim u vendos që ky diskutim të shtyhej për javës tjetër.

Ndërkaq më herët, Ruçi njoftoi ngritjen e komisionit për reformën zgjedhore. Komisioni do të jetë dypartiak, do të trajtojë rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe propozimet e partive që kanë marrë në zgjedhjet e fundit jo më pak se 1 për qind të votave.

“Përbërja e komisionit do të jetë e barabartë mes shumicës dhe pakicës. Komisioni do drejtohet nga dy bashkëkryetarë të PD dhe PS, Blendi Çuçi dhe Oerd Bylykbashi. Ndërkohë, ekspertë ndërkombëtarë janë të ftuar”, deklaroi Ruçi.

Kryetari i Kuvendit shtoi se vendimet do të quhen kur të votohen nga të gjithë anëtarët dhe të kenë marrë konsensusin e bashkëkryetarëve.

Ndër të tjera Ruçi ka bërë me dije se, ditën e djeshme Konferenca e Kryetarëve miratoi kalendarin e Kuvendit.

Njoftimi i Ruçit u pasua nga debati mes krerëve të grupeve parlamentare Taulant Balla dhe Edmond Spaho. Ky i fundit kërkoi debat për çështjen, ndërsa Balla e refuzoi këtë kërkesë me argumentin se debati do të bëhet në komisionet parlamentare.

Në vijim të seancës fjalën e mori kryetari i PD, Basha, i cili kërkoi nga kryetari të mbledhë Konferencën e Kryetarëve për të caktuar zhvillimin e dabtit sot pasdite dhe i bëri thirrje atij që të mos vendosë me forcën e kartonëve.

“Jeni një mazhorancë fiktive, në aleancë me krimin. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë gjatë. Mblidh Konferencën e Kryetarëve dhe vendos për një afat të arsyeshëm debati. Nuk mund të shtyhet debati për një javë. Shtyrja e debatit ka vetëm një qëllim, t’i mbyllësh gojën opozitës”, tha Basha.

Nga ana e tij Ruçi sqaroi se, nuk ka sens të mblidhet Konferenca kur Parlamenti është mbledhur për rendin e ditës.

“Propozohet një votë pro dhe një kundër, qoftë për zgjedhje nga rendi i ditës. Një kryetar grupi ishte për debat, dy kryetarë grupesh ishin për diskutimin javën tjetër. Nuk mundet që Konferenca e Kryetarëve të marrë atributet që i ka seanca parlamentare. Kjo është një çështje e mbyllur”, tha Ruçi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button