Rihapja e rastit “Monstra”, ngjall shpresat për gjykim të drejtë

Kërkesa e Prokurorisë Publike për anulimin e vendimeve të gjykatës së shkallës së parë dhe të Gjykatës së Apelit për rastin e njohur si “Monstra” dhe hapjen e një procesi të ri gjyqësor, ka ngjallur shpresat e familjarëve të gjashtë shqiptarëve të dënuar me burg të përjetshëm për rigjykim të drejtë, shkruan REL, njofton Portalb.mk.

Ata besojnë se të afërmit e tyre nuk janë fajtor për vrasjen e pesë të rinjve maqedonas, në prill të vitit 2012, në vendin e quajtur liqeni i Smillkovës në Shkup, pasi sipas tyre, bëhet fjalë për proces të montuar pas të cilit mund të qëndrojnë persona të politikës nga qeveria e kaluar.

Bedri Ajdari nga këshilli i familjarëve, tha për Radion Evropa e Lirë se pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila duhet së shpejti të vendosë për kërkesën e prokurorisë, të afërmit e tyre do të gjenden të lirë për të dëshmuar pafajësinë e tyre para një trupi gjyqësor të pavarur.

Gjasat janë shumë reale që pas shfuqizimit të vendimit t’i prezantojmë argumentet tona dhe të kërkojmë nga ata që akuzojnë që të jenë të qartë, të prerë dhe të argumentojnë se janë apo nuk janë fajtorë këta të akuzuar. Besoj se kemi gjasa shumë reale që të zbardhim rastin që bashku me palën mbrojtëse, pra me avokatët, të arrijmë tek e vërteta. Ne e dimë se jemi të pafajshëm, por nëse duhet ta vërtetojmë përmes fakteve, edhe këtë do ta bëjmë”, thotë Hajdari.

Pala mbrojtëse thotë se dënimet me burg të përjetshëm ndaj klientëve të tyre janë dhënë pa asnjë provë relevante të besueshme. Avokati Sasho Dukovski, thotë se vendimet janë dhënë në bazë të disa bisedave telefonike, që fare nuk kanë të bëjnë me rastin, apo mbi bazën e literaturës fetare që është gjendur në shtëpitë e tyre, për çka edhe janë dënuar për veprën e terrorizëmit.

Vlerësojmë se Gjykata Supreme vendimin për këtë rast duhet ta bazojë në fakte. Prokurori ka vepruar në bazë të dispozitave të Kodit Penal duke prezantuar fakte mbi nevojën që ky proces edhe njëherë të kthehet për rigjykim. Duke marrë parasysh të gjitha dëshmitë e prezantuar deri më tani, besojmë se vendimi do të jetë pozitiv, pra se do të vërtetohet propozimi i prokurores për anulimin e vendimeve të gjykatës së shkallës së parë dhe të gjykatës së apelit”, thotë Dukovski.

Lidhur me kërkesën e prokurorisë kanë reaguar edhe partitë politike. Ato në pushtet thonë se janë meritore për një vendim të tillë, në veçanti Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët.

“Me shkarkimin e prokurorit Marko Zvrlevski, sundimi i ligjit në Maqedoni po merr trajtën e duhur dhe trajtën e drejtë. Edhe njëherë apelojmë tek Gjykata Supreme që vendimin ta merr sa më parë, që të lirohen nga burgu dhe të vazhdohet me rigjykimin transparent dhe me monitorim ndërkombëtar”, ka deklaruar Artan Grubi, deputet i Bashkimit Demokratik për Integrim.

Rasti “Monstra”, ka ndodhur pikërisht gjatë qeverisjes së BDI-së me VMRO- DPMNE-në. Deputeti Grubi tha se si këto parti edhe në atë kohë kanë bërë përpjekje për të zbardhur rastin, por rasti epilog pozitiv po merr tani në qeverisjen me LSDM-në, pas kushtëzimeve, sipas tij, që ky rast të jetë në agjendën kryesore të punës së Qeverisë së Maqedonisë.

Lëvizja Besa ka thënë se “meritor për zbardhjen e rastit janë shqiptarët të cilët në vazhdimësi kanë protestuar dhe kanë kërkuar drejtësi për të burgosurit e pafajshëm”.

Se të dënuarit mund të jenë të pafajshëm, këtë disa herë e kishte deklaruar edhe lideri i opozitës së atëhershme, Zoran Zaev, aktualisht kryeministër Maqedonisë. Ai pati premtuar se do të bëjë çmos që përmes institucioneve të drejtësisë do të zbardhë të vërtetën për vrasjen në Smillkovcë.

Katër nga të dënuarit për këtë rast, Halil Demiri, Haki Aizir, Fejzi Aziri, Sami Luta, po vuajnë dënimin në burgun e Shkupit, ndërsa dy të tjerë, Afrim Ismajloviq dhe Agim Ismajloviq po ashtu të dënuar me burg të përjetshëm ndodhen në arrati. Zbardhjen e këtij rasti në vazhdimësi e kanë kërkuar edhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button