Siri, masakra të reja në Homs

Me dhjetëra persona kanë mbetur të vrarë në periferinë e qytetit sirian të Homsit, në atë që është përshkruar nga aktivistët si një prej masakrave më të mëdha ndonjëherë.

Lajmin e konfirmuan të enjten burime të opozitës siriane në mërgim. Ato flasin për të paktën 44 viktima, të gjithë pjestarë të pak familjeve që kanë ngritur krye kundër regjimit. Sipas të dhënave, u ekzekutuan nga ushtria 20 antarë të një familjeje dhe 16 të një tjetre.

Një ditë më parë, të mërkurën, shefja për çështjet humanitare e OKB-së, Valeri Amos, vizitoi Homsin dhe informoi se pjesë të tij janë të shkatërruar plotësisht.

Masakra përbën një raprezalje të qartë të ushtrisë ndaj rebelëve në Homs, një vatër e kryengritjeve 1-vjeçare kundër regjimit autoritar të presidentit Bashar al-Assad. të dhënat e raportuara nga grupet siriane në diasporë nuk mund të verifikohen, për shkak të mungesës së raportimeve zyrtare dhe të pranisë së gazetarëve në terren.

Sipas vlerësineve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, 7 500 persona kanë vdekur në Siri që prej fillimit të trazirave në mars 2011, por grupe të ndryshme flasin për një shifër deri dy herë më të lartë të viktimave.

Lajme të ngjashme

Back to top button