Ahmeti kërkoi heqjen e kufijve

Bashkimi Demokratik për Integrim, mbrëmë në komunën e Jegunovcit prezantoi programin dhe kandidatin për kryetar komune si dhe listën e kandidatëve për këshilltarë në këtë komunë.

BDI, siç njofton Zyra për informim e partisë, është e bindur së në zgjedhjet e 15 tetorit, do t’ia dalë që me ofertën e vet të korrë fitore duke siguruar për herë të parë, siç shtohet, edhe postin e kreut të komunës.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në fjalimin e tij të mbajtur në Shemshovë, nënvizoi se në vitin 2001 ishte shteti ai i cili bëri që shqiptarët të ngrenë fuqimisht zërin e tyre për shkak të injorimit të kërkesave të tyre, por se tani, 16 vjet më pas, këto paragjykime janë tejkaluar.

“Në atë kohë kanë menduar se ne jemi njerëz të malit, njerëz të egër, ne jemi njerëz të kallashnikovit, por ne e dëshmuam se sa ishim të kallashnikovit, po aq jemi edhe të diplomacisë, edhe të paqes, po aq jemi edhe të stabilitetit, po aq jemi edhe integrues”, tha Ahmeti.

 

Duke folur për zhvillimet aktuale në shkallë vendi, kreu i BDI-së dhe i shqiptarëve në Maqedoni, tha se marrëdhëniet ndëretnike dhe ato të fqinjësisë së mirë, krahas reformave të shumëkërkuara, janë parakusht për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Në këtë shtrirje, ai vlerësoi lartë Traktatin e Miqësisë me Bullgarinë dhe shprehu shpresën se së shpejti do të arrihet kompromisi edhe me Greqinë për të mbyllur kështu njëherë e përgjithmonë kapitullin e çështjes së emrit të Maqedonisë.

“Cili është synimi ynë i fundit? Le të hiqen barrikadat, le të hiqen kufijtë! Pse të presim me orë të tëra nëpër kufij, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri, qoftë në Greqi, Bullgari apo Serbi?”, tha Ahmeti duke argumentuar se Ballkani Perëndimor duhet t’i heq kufijtë njësoj siç e ka bërë këtë e gjithë Evropa, sepse, përfundoi kryetari i BDI-së, duke shtuar se kështu forcohet paqja, stabiliteti, kështu bëhet pajtimi i mirëfilltë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button