Mbreti i Spanjës i ka dënuar organizatorët e referendumit

Mbreti i Spanjës, Felipe i VI-të, i ka dënuar organizatorët e referendumit për pavarësi në Katalonjë, duke thënë se ata e kanë vënë vetveten “jashtë ligjit” dhe ka kërkuar nga autoritetet shtetërore për ta mbrojtur “rendin kushtetues” në këtë rajon veriperëndimor të Spanjës, transmeton REL.

Në fjalimin e mbrëmshëm televiziv, Mbreti i Spanjës ka kërkuar unitet, duke thënë se situata në vend po ballafaqohet me krizë “shumë serioze”.

Njëherësh, qindra mijëra njerëz kanë dalur në rrugët e Barcelonës, që është kryeqytet i Katalonjës, për të protestuar kundër dhunës policore gjatë referendumit të mbajtur para tri ditësh, me ç’rast ishin lënduar qindra vetë.

Protestuesit i bllokuan rrugët në Barcelonë, ndërsa shërbyesit civilë e ndalën punën pas ftesës së grupeve për pavarësi në rajon, pasi policia e Spanjës me forcë ishte përpjekur për t’i mbyllur vendvotimet gjatë referendumit.

Me këtë grevë janë prekur sektori publik, ai i transportit dhe shërbimet themelore në Barcelonë.

Në shenjë të mbështetjes për grevë, klubi i njohur i futbollit, Barcelona, e ka pezulluar stërvitjen.

Autoritetet e Katalonjës thonë se 2.2 milionë njerëz votuan në referendum, ndërsa 90% prej tyre e kanë mbështetur pavarësinë.

Gjykata Kushtetuese e Spanjës e kishte ndaluar mbajtjen e referendumit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button