SHBA, tre uraganet shkaktuan mbi 260 miliardë dollarë humbje

Uraganet Harvey, Irma dhe Maria i kanë kushtuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) më shumë se 260 miliardë dollarë në shkatërrim dhe humbje të prodhimit ekonomik, tregojnë të dhënat që Anadolu Agency (AA) përpiloi të mërkurën.

Uragani Harvey, i cili goditi shtetin federal amerikan të Teksasit në gusht, ka kushtuar 87 miliardë dollarë në dëmtim të pronave dhe 10 miliardë dollarë humbje të prodhimit ekonomik, treguan të dhënat nga analiza e kompanisë Moody’s Analytics.

Sipas të dhënave, Uragani Irma, që ndikoi në shtetin e Floridës në fillim të shtatorit, shkaktoi shkatërrime në vlerë prej 56.5 miliardë dollarë dhe 14 miliardë dollarë në humbje të prodhimit.

Ndërkaq, Uragani Maria, i cili goditi Porto Rikon, shkaktoi dëm të pronave në vlerë prej 55 miliardë dollarë dhe 40 miliardë dollarë humbje të prodhimit ekonomik.

Kjo solli koston totale të tre uraganeve në 262.5 miliardë dollarë, apo rreth 1.4 përqind e Prodhimit të Brendshëm Bruto të SHBA-ve, i cili vitin e kaluar arriti në 18.5 trilionë dollarë.

Kompania e shërbimeve meteorologjike AccuWeather, në anën tjetër, tha më 11 shtator se ka parashikuar që uraganet Harvey dhe Irma do të kushtonin 290 miliardë dollarë.

Ndërsa Uragani Katrina në gusht të vitit 2005 arriti një kosto totale prej 174.5 miliardë dollarësh, uragani Sandy në tetor të vitit 2012 i kushtoi ekonomisë amerikane 73 miliardë dollarë, treguan të dhënat e Moody’s Analytics.

Prodhimi i naftës bie në masë të konsiderueshme

Tre uraganet e fundit kishin një ndikim negativ në ekonomitë e shteteve federale.

Ndërkohë që Florida dhe Porto Riko u përballën me pengesa në turizëm dhe sektorin e shërbimeve, Teksasi gati e kishte të mbyllur industrinë e naftës.

Gjatë stuhisë Harvey në Teksas, prodhimi i naftës u zvogëlua, derisa shumica e puseve dhe rafinerive ndaluan veprimtarinë e tyre, gjë që gjithashtu ndikoi negativisht në sektorin e naftës në SHBA.

Uragani Harvey shkaktoi ndërprerjen 20 deri në 25 përqind të kapacatitetit rafinues të SHBA-ve.

Parashikimi i rritjes u ul

Tre uraganet gjithashtu kishin një ndikim negativ në parashikimin e rritjes së ekonomisë amerikane.

Kompania bankare e investimeve globale Goldman Sachs tha më 9 shtator se ka ulur parashikimin e rritjes së tremujorit të tretë të ekonomisë amerikane në 2 për qind nga 2.8 për qind.

“Presim zvarritje të rëndësishme në treguesit kryesorë të rritjes gjatë dy muajve të ardhshëm”, tha firma bankare në deklaratën e saj.

Sistemi i Rezervave Federale, megjithatë, tha se nuk pret që uraganet të kenë shumë ndikim në rritjen ekonomike të SHBA-ve në periudhë afatmesme.

“Uraganet Harvey, Irma dhe Maria kanë shkatërruar shumë komunitete, duke shkaktuar vështirësi të mëdha”, tha Komiteti Federal i Tregut të Hapur (FOMC) në përfundim të takimit të tij dy-ditor më 20 shtator.

“Dëmet nga stuhitë dhe rindërtimi do të ndikojnë në aktivitetin ekonomik në afat të shkurtër, por përvoja e kaluar tregon se stuhitë nuk kanë gjasa të ndryshojnë materialisht rrjedhën e ekonomisë kombëtare në periudhë afatmesme”, thuhej në deklaratën e FOMC-së.

Presidenti i Rezervave Federale të New York-ut, William Dudley tha më 8 shtator se uraganet do të nxisin ekonominë amerikane.

“Këto efekte të uraganave kanë tendencë të jenë kaluese. Efekti afatgjatë i këtyre fatkeqësive, për fat të keq, është që në të vërtetë ai rrit aktivitetin ekonomik, sepse ju duhet të rindërtoni të gjitha gjërat që janë dëmtuar nga stuhitë”, tha Dudley në një intervistë për CNBC.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button