Zaev: Çairi është fotografi e Maqedonisë multietnike, të dërgojmë porosi të unitetit

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë dhe lideri i LSDM-së Zoran Zaev, i shoqëruar nga bashkëpartiakët, Petre Shilegov dhe Muhamet Zeqiri, vizitoi komunën e Çairit, për t’u takuar me kandidatin e Bashkimit Demokratik për Integrim, për kryetar të komunës, Visar Ganiu dhe shefin e Shtabit Zgjedhor, Bujar Osmani.

“Kemi për qëllim që qyteti të zhvillohet barabartë, pasi qyteti është i njëjtë për të gjithë qytetarët që jetojnë në territorin e tij. Unë jam njeri i lumtur, që mund sot të kërkoj përkrahje nga ju, për njeri për të cilin jam i bindur se do të punojë trimërisht për interesin e të gjithë qytetarëve të Shkupit. Unë e kam kënaqësinë ta përkrah me tërë fuqinë edhe si kryeministër, edhe si Qeveri, edhe si njeri”, tha Zaevi.

Kryeministri ka konfirmuar jo vetëm mbështetjen për këtë kandidaturë, besimin e respektin për personalitetin e ish zëvendësministrit të Arsimit dhe Shkencës, Ganiu, por edhe është angazhuar se do të ndihmojë në realizimin e këtij projekti. Premtimin e ka dhënë duke nënshkruar dokumentin – Kontratën 2017-2021.

“Çairi është fotografi e Maqedonisë sonë multietnike. Si do të sillet Çairi, ashtu do të sillet edhe Maqedonia. Ju bëj thirrje me të gjitha llojllojshmëritë tona, këtu jetojnë shqiptarë, maqedonas, turq, romë, boshnjakë, vlleh, serbë…të gjitha bashkësitë etnike. Për mua është me rëndësi si politikan se çfarë porosi do të dalin këtu, në Çair. E unë nuk pres asgjë më pak përveç se porosi të unitetit dhe besimit ndaj perspektivës së përbashkët të mirë, barazisë për të gjithë qytetarët në Republikën tonë të përbashkët të Maqedonislë”, tha lideri i LSDM-së.

Së bashku me kandidatin për kreun e Qytetit të Shkupit Shilegov, ata kanë shqyrtuar së bashku të gjitha projektet e propozuar, si edhe kanë diskutuar për konceptin menaxhimit të kësaj komune, problemet dhe vështirësitë që duhet të tejkalohen për të përmirësuar, si bashkëpunimin mes pushteteve lokale, por edhe ekzekutivit, ashtu edhe jetën dhe zhvillimin e komunës dhe banorëve të saj.

Në këtë takim, kandidati për kryetar komune Ganiu i ka prezantuar kryeministrit Zaev dokumentin për Strategjinë e zhvillimit të komunës gjatë katër viteve të ardhshme. Përkatësisht të 11 pikat e Kontratës dhe vizionin e tij për të ardhmen e komunës, ndryshimet në përmirësimin e infrastrukturës, zhvillimit të arsimit dhe kulturës, mbështetjen për rininë dhe sportin, ruajtjen e mbrojtjen e trashëgimisë, e të tjera.

Mbështetjen për kandidaturën e Ganiut dhe besimin tek ai kryeministri Zaev e ka deklaruar hapur pas shpalljes nga BDI, duke e vlerësuar si përzgjedhjen më të mirë të mundshme për të qenë kreu i komunës Çair.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button