fbpx

Robert Elsie, njeriu që deshi pa kushte Shqipen e Shqipërinë

Robert Elsie lindi më 29 qershor 1950 në Vankuvër (Vancouver) të Kanadasë më 29 qershor 1950. Ai ndoqi Universitetin e Kolumbisë Britanike (University of British Columbia), ku studioi për filologjinë klasike dhe gjuhësinë dhe u diplomua më 1972. Robert Elsie vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor, pastaj në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta në Paris, në Institutin e Dublinit për Studime të Larta në Irlandë, dhe në Universitetin e Bonit, ku mbrojti doktoraturën për gjuhësi krahasimtare dhe keltologji më 1978. Në atë kohë Instituti i Gjuhësisë i Universitetit të Bon-it kishte kontakte të rralla me studiues nga “Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë” dhe nëpërmjet këtyre kontakteve, ai dhe disa studentë dhe studiues të tjerë patën mundësi të vizitonin Shqipërinë disa herë në kuadër të ‘takimeve shkencore’ midis Institutit gjerman dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ai ka marrë pjesë gjithashtu në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Kosovë për disa vite me radhë, përcjell Bordo.al.

Këto udhëtime në fund të viteve 70-të dhe në fillim të viteve 80-të i gjallën një interes të veçantë për Shqipërinë e mbyllur dhe për kulturën e saj të panjohur në botë. Pasi mësoi shqip dhe i thelloi njohuritë e tij në këtë gjuhë, Robert Elsie vendosi t’i kushtohej albanologjisë, fushë në të cilën ai më vonë do të bëhej një ndër ekspertët më të njohur. Elsie është autor i më shumë se gjashtëdhjetë librave si dhe të artikujve të panumërt, kryesisht në fushën e albanologjisë. Në mes të viteve 80-të, Robert Elsie punoi si përkthyes dhe interpret për Ministrinë e Punëve të Jashtme gjermane në Bon.

Qysh nga vitet 90-të deri ne fillim të shekullit të 21-të ai ka punuar me profesion të lirë si interpret i shqipes dhe ka marrë pjesë në negociata të nivelit të lartë për qeverinë gjermane, Bashkimin Evropian, Kombet e Bashkuara, NATO-n, Këshillin e Evropës, etj. Që nga viti 2002, ai ka punuar kryesisht për Gjyqin e Hagës ku, ndër të tjera, ka qenë interpret simultan në procesin gjyqësor të Sllobodan Millosheviqit.

Ndër veprat e tij më me vlerë në fushën e albanologjisë janë: Fjalor i letërsisë shqiptare, Uestport (Westport), Konektikat 1986, dhe History of Albanian Literature (Histori e letërsisë shqiptare), Boulder, Colorado 1995, në dy vëllime. Ai ka botuar gjithashtu përkthime letrare në anglisht dhe gjermanisht, siç janë për shembull në vëllimin e UNESCO-s “Një shqiponjë e arratisur fluturon: antologji e poezisë bashkëkohore shqiptare, Londër 1993; Përralla dhe legjenda shqiptare, Tiranë 1994; veprat poetike të poetit Migjeni (1911-1938) përkthyer në anglisht në vëllimin Free Verse (Vargjet e lira), Tiranë 1991, dhe në gjermanisht në vëllimin Freie Verse (Vargjet e lira), Idshtajn (Idstein) 1987; një antologji gjermanisht e poezisë shqiptare, antologji e poezisë shqiptare nga shek. 16 deri me sot, dhe veprat e poetëve kosovarë Ali Podrimja, Flora Brovina, Eqrem Basha. Kritika e tij e letërsisë shqiptare u mblodh dhe u botua në vëllimin Studies in Modern Albanian Literature and Culture (Studime për letërsinë dhe kulturën bashkëkohore shqiptare), Boulder, Colorado 1996, i cili doli në shqip me titullin Një fund dhe një fillim, Tiranë & Prishtinë 1995.

Në vitet e mëpasshme, Robert Elsie u përqendrua më shumë në fushat e tjera të albanologjisë, si kultura popullore dhe historia. Një ndihmesë e madhe për antropologjinë shqiptare ishte libri i tij Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture (Fjalor i fesë, mitologjisë dhe kulturës popullore shqiptare), Londër 2001, i cili doli në gjermanisht në vëllimin Handbuch zur albanischen Volkskultur (Doracak i kulturës popullore shqiptare), Visbadën (Wiesbaden) 2002, dhe në shqip në vëllimin Leksiku i kulturës popullore shqiptare, Tiranë 2005.

Ai botoi gjithashtu Kanunin në gjermanisht, Der Kanun: das albanische Gewohnheitsrecht nach dem sogenannten Kanun des Lekë Dukagjini (Kanuni: E drejta zakonore shqiptare sipas të ashtuquajturit Kanuni i Lekë Dukagjinit).  Projekti më ambicioz letrar i Robert Elsie-t është sigurisht përkthimi në anglisht nga gegnishtja i eposit të madh letrar të Atit Gjergj Fishta (1871-1940), The Highland Lute: The Albanian National Epic (Lahuta e Malcis: eposi kombëtar shqiptar), Londër 2005, një vepër me 30 këngë dhe 15,613 rreshta. Rishfaqja në dritë e këtij eposi, të ndaluar për vite me radhë nga regjimi komunist në Shqipëri, u prit me gëzim, sidomos në veriun e vendit.

Tags

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close