Zeqirija Ibrahimi: Më 15 tetor përfundon politizimi dhe partizimi i arsimit në Çair

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga radhët e Lëvizjes BESA, Zeqirja Ibrahimi, realizoi takim me qytetarët e kësaj komune.

Në konferencë, Ibrahimi tha se në komunën e Çairit janë disa shkolla fillore, që tashmë disa vite vazhdojnë të kenë kushte minimale pune.

“Qoftë për nga pajisjet mësimore, qoftë për nga rendi në shkollë, qoftë për shkak të orarit të mësimit në më shumë se dy turne e të klasave të stërngarkuara me nxënës, qoftë për shkak të punësimeve me karakter nepotizmi që kanë shkaktuar rënie të cilësisë, qoftë për shkak të mungesës së higjienës ose mungesës së hapësirave të mjaftueshme për rekreacion, kjo për shkak të uzurpimit të oborreve të shkollave, shkollat fillore të Komunës së Çairit lënë shumë për të dëshiruar”, theksoi Ibrahimi.

Janë dhjetëra arsimtarë, tha ai,  “që çdo ditë na qahen, ngase funksionarë të Komunës së Çairit, por edhe drejtorët e tyre, i detyrojnë të shkojnë në tubime partiake, ndërsa shumë drejtorë e arsimtarë, me dëshirë ose me imponim, e lënë edhe mësimin duke agjituar për Partinë”.

Prandaj, jemi sot këtu për të përcjellë disa mesazhe në lidhje me këtë problem:

1. Arsimtarë dhe drejtorë të dashur, më 15 tetor përfundon politizimi dhe partizimi i arsimit në Çair. Me qeverisjen tonë i ndalohet secilit drejtor dhe arsimtar ose punonjës në shkollë që në objektin e shkollës dhe në orarin e punës të bëjë agjitacion dhe propagandë politike. Politika përfundimisht do të dalë nga shkollat dhe arsimtarët e drejtuesit e shkollave do të jenë të lirë ta bëjnë punën e tyre me nder dhe dinjitet. Kështu do të përfundojë secili presion që sot drejtuesit e Komunës ua bëjnë drejtuesve të shkollave dhe arsimtarëve.

2. Të nderuar drejtues të shkollave dhe mësimdhënës, ndonëse ka plot funksionarë të Komunës e drejtues shkollash që sot ju zhvatin, sidomos juve arsimtarëve që nuk keni vendime, ne u themi se me ardhjen tonë në krye të Komunës së Çairit do të përfundojë hakmarrja dhe zhvatja. Asnjë arsimtar nuk do ta pësojë për shkak të bindjeve të veta politike ose bindjeve të tjera. Mjafton ta kryejë punën e tij në orarin e mësimit me dinjitet. Sepse ne nuk i ndajmë arsimtarët në bazë të përkatësisë partiake, por në bazë të cilësisë së punës në shkollë.

3. Me ne në krye të Komunës së Çairit punësimet nëpër shkolla do të jenë vetëm mbi bazën e kriterit të cilësisë dhe kjo do të jetë në dorë të shkollës që e zgjedh arsimtarin. Kështu do të përfundojë nepotizmi dhe punësimet partiake.

4. Për neve është e rëndësishme vetëm cilësia në arsim, sepse askujt nuk i lejohet ta marrë në qafë një komb për shkak të përfitimeve të veta politike. Drejtorët dhe arsimtarët do të jenë të lirë nga presionet politike, por do të jenë nën vëzhgim për cilësinë e tyre të punës.

5. Ne mendojmë se kusht për t’u ngritur cilësia nuk janë vetëm gjërat teknike, të cilat gjithsesi se do të përmirësohen në secilën shkollë, siç është pajisja e kabineteve, meremetimi dhe kujdesi për objektet shkollore, por në veçanti është leximi. Ne jemi të bindur se detyra jonë parësore është që të lexojmë më shumë. Gjithçka tjetër rezulton pas kësaj. Prandaj ne do të pasurojmë secilën bibliotekë shkollore veçmas, ndërsa Çairi do të ketë një bibliotekë qendrore publike, që do të jetë e hapur jo vetëm për nxënësit, por edhe për të gjithë qytetarët e Çairit. Ne jemi të bindur se dija dhe jo Partia na bën komb të vyer dhe të suksesshëm.

“Po e përfundojmë këtë konferencë me lutjen drejtuar arsimtarëve: arsimtarë të dashur, mos u frikësoni, sepse askush nuk mund t’ju shqetësojë më! Pas 15 tetorit ju do të jeni të lirë. Prandaj duroni edhe disa ditë se kjo diktaturë, që i ngjason diktaturës tipike enveriste  zaten ajo matricë ideologjike është në pushtet, po i numëron ditët e saj të fundit. Të gjithë ne tashmë jemi gati për një jetë të re në Çair!”, ka thënë Zeqiria Ibrahimi kandidati i Lëvizjes BESA për kryetar të Komunës së Çairit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button