Ekspertët zviceranë do ta ndihmojnë zhvillimin e pesë kompanive vendore

Pesë kompani vendore, të industrisë ushqimore, të tekstilit, të industrisë metalike, do ta avancojnë punën me këshilla falas prej pesë ekspertëve nga Zvicra, si pjesë e thirrjes së tretë për projektin qeveritar “Angazhimi i ekspertëve seniorë për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Maqedoni”.

“Projekti për mbështetjen e kompanive të vogla me ndihmën e ekspertëve nga jashtë u tregua si efikas dhe për këtë u publikua thirrja e tretë në të cilën janë dorëzuar 35 aplikacione”, informoi sot zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev në nënshkrimin e deklaratës për pëlqim për bashkëpunim në projektin me ambasadoren e Zvicrës në Maqedoni, Sibil Suter Tehada.

Në dy vitet e kaluara, theksoi Angjushev, ndihmë prej ekspertëve kanë marrë 96 kompani, ndërsa anketat tregojnë se 90 për qind janë të kënaqur prej këtij projekti, ndërsa 70 për qind përsëri do të aplikonin.

Ambasada zvicerane i mbulon mbi 90 për qind të shpenzimeve për angazhimin e ekspertëve, ndërsa në projekt janë kyçur edhe ekspertë nga Austria, Holanda dhe Gjermania.

Siç theksoi ambasadorja Suter Tehada, Zvicra për të tretin vit u jep mbështetje kompanive të Maqedonisë që t’i përmirësojnë produktet e tyre dhe shërbimet dhe të bëhen më konkurruese dhe më efikase.

Ekspertët të cilët deri më tani i kanë siguruar u kanë ndihmuar kompanive të zhvillojnë rreth 20 produkte të reja dhe t’i trajnojnë të punësuarit e tyre që të përmirësohet niveli i shërbimeve të cilat i ofrojnë. Konfirmim për kënaqësinë e kompanive nga shfrytëzimi i ndihmës, sipas saj, është fakti që kompania e industrisë ushqimore ka emëruar një produkt sipas ekspertit të cilin e kanë angazhuar.

“Jam e sigurt se me atë që do të sjellim ekspertë zviceran në Maqedoni dhe me ndarjen e njohurive dhe përvojave të tyre të mëdha kompanitë do të jenë më konkurrente dhe më të gatshme për sfidat e radhës”, tha ambasadorja zvicerane.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button