Për përdorimin e gjuhës shqipe, por me gjithë mend

Për fat të keq, ndër në shqiptarët këtu në Maqedoni,aq shumë flitet kuturu për ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe, sa që japim përshtypjen se nuk e dijmë renditjen dhe itinerarin e sjelljes së ligjit, nga propozim ligji deri në miratimin e tij në Kuvend.

Pikësëpari, propozim ligji, i miratuar nga qeveria, pa pasur transparencë dhe pa iu nënshtruar nji debati të mirfilltë publik, len dyshimin se mund të ketë shumë mangësi. Kam përshtypjen se,  vetë partitë parlamentare shqiptare nuk mund t’i dijnë të gjitha problemet që ekzistojnë, gjatë përdorimit të përditshëm  të gjuhës shqipe.

Do të mundohem t’u qasem disa problemeve që hasen, në përdorimin  e gjuhës shqipe e që vetvetiu bëjnë dhe ngjallin, probleme të tjera  më vete, në administratë e gjetiu.

Duke filluar nga Ministria e Punëve të Brendshme:
1.A e dini se sa gabime bëhen në regjistrimin e emrave personalë të sapolindurve, duke bërë transkriptimin në gjuhën maqedone dhe në variantin e tanishëm të gjuhës angleze, për shkronjat specifike të alfabetit të gjuhës shqipe?
2.A e dini se  sa probleme u krijuan me dokumentet e identifikimit, kur pas dokumentave të Ish jugosllavisë, kur  shkroja XH – shënohej me DZ e tash në dokumentet e Republikës Maqedonisë DJ, kur L – shënohet me LJ.  Dhe kështu ndodh edhe me shkronjat tjera të veçanta të alfabetit të gjuhës shqipe me Q, GJ , Ë dhe Y?

A ka llogaritur dikush, se sa telashe kanë pasur mërgimtarët  që kanë nisur dokumentacionin në shtetet e perëndimit, me një emër, me një palë shkronja e kanë vazhduar me shkronja tjera?
3.Përse përfaqësuesit  shqiptarë nuk kërkuan që emrat e shqiptarëve të Maqedonisë, në dokumentet e identifikimit,  të shkruhen ashtu siç janë në origjinal në  gjuhën shqipe. Për shtetet euopiane dhe SHBA-të janë të pranueshme emrat shqip të shqiptarëve të dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës. Nisur nga ky fakt nuk duhet që  të ketë përjashtim për emrat e shqiptarëve të Maqedonisë.
4.A e kuptojnë përfaqësuesit shqiptarë në institucionet përkatëse se: BËHET TRANSKRIPTIMI I EMRAVE PERSONALË, NGA GJUHA SHQIPE, NË GJUHËN MAQEDONE, E PASTAJ PREJ MAQEDONISHTES I TRANSKRIPTOJNË, SI DUAN ATA, NË GJUHËN ANGLEZE?
ALFABETI DHE SHKRIMI LATIN JANË SHUMË MË AFËR ANGLISHTES SE SA ALFABETI CIRILIK.
5. Përkthimi dhe përdorimi i gjuhës shqipe në librat shkollor, për nga gabimet e mëdha dhe çalimet materiale dhe kualifikimet e tendencioze përçmuese ndaj shqiptarëve, tanimë dihen botërisht.
6. Por, a e dijnë përfaqësuesit e shqiptarëve të Maqedonisë, nëpër institucionet shtetërore, se lëre më, që nuk përdoret dygjuhësia në sistemin shëndetësor, por edhe udhëzimet e përdorimit që i shoqërojnë barnat janë vetëm në gjuhën maqedone. Mund të jenë edhe në gjuhën sërbe, kroate apo polonishte e bullgarishte, por jo edhe në gjuhën shqipe.

Në Ish Jugosllavi udhëzimet e barërave ishin në të gjithë gjuhët që fliteshin në atë Jugosllavi atëherë, pra edhe shqip.

Për të qenë  ironia më e madhe, barërat sllovene , kroate , boshnjake e ato të Alkaloidit të Shkupit përdoren edhe në dy shtetet shqiptare me udhëzime përdorimi edhe në gjuhën shqipe. Pra problemi qëndron te  organet shtetërore të Republikës së Maqedonisë , që deri sot e kanë bërë të pamundur një gjë të tillë.

Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Maqedoni, me vite të tëra kanë kërkuar që të zgjidhet ky problem por nuk pati gatishmëri nga faktori maqedon dhe shkathtësi nga faktori shqiptar.

A do të sillet një ligj i qëndrueshëm i përdorimit të gjuhës shqipe dhe i mbrojtjes së gjuhës shqipe nga keqpërdorues shqiptarë e shqipfolës, gazeta e portale, përkthyes diletantë, të papërgjegjshëm, tendenciozë e qëllimkëqinj, pa mos konsultuar ekspertë të respektuar juridikë dhe  gjuhëtarë nga UT apo të USHKM në Shkup?

Sepse shumica e ministrave e zëvendës ministrave  që i kemi njohur gjatë këtyre viteve shumë dobët e kanë njohur gjuhën shqipe.

A do të harrohet sërish ky ligj, sapo përfaqësuesit e shqiptarëve nëpër institucionet shtetërore të përvetsojnë gjuhën e tenderave që e bëjnë shumë mirë në gjuhën maqedone?!

Do të presim,do të shohim!…

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button