Meta përshëndeti gatishmërinë e Kosovës për vazhdimin e dialogut me Serbinë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, priti sot në Tiranë kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Presidenti Meta pasi e uroi zotin Haradinaj për detyrën e rëndësishme si kryeministër i Republikës së Kosovës, shprehu angazhimin e tij për bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e Kosovës, në interes të rritjes së mëtejshme të njohjeve ndërkombëtare si edhe forcimit të perspektivës evropiane, transmeton Koha.net. 

Sipas kumtesës nga ky takim, presidenti Meta theksoi rëndësinë e intensifikimit të mëtejshëm të shkëmbimeve ekonomike, tregtare, shkencore, arsimore, turistike, kulturore dhe të gjitha formave të tjera mes dy vendeve tona.

Presidenti Ilir Meta përshëndeti gatishmërinë e kryeministrit Haradinaj dhe të Qeverisë së re të Kosovës për vazhdimin e dialogut me Serbinë, si një proces pa alternativë dhe në funksion të paqes dhe stabilitetit të rajonit. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si një element kyç në promovimin e stabilitetit, sigurisë dhe paqes në gjithë rajonin, duke theksuar se Procesi i Berlinit është një mundësi e mirë për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtuar perspektivën tonë të përbashkët evropiane.

Presidenti Ilir Meta vlerësoi marrëdhëniet e NATO-s me Kosovën si dhe rëndësinë e ruajtjes së një pranie substanciale të KFOR-it, për garantimin e një mjedisi të sigurt jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button