Ibrahimi: Deri tani nuk ka ndodhur gazifikimi në Çair

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga Lëvizja BESA, Zeqirija Ibrahimi në konferencën e sotme për shtyp deklaroi se “kanë mbetur edhe pak ditë që Komunën e Çairit ta çlirojnë nga pengmarrja që ia kanë bërë këto 12 vite, ata që kanë keqqeverisur me të”.

“Duke filluar nga dita e sotme, ne çdo ditë do t’ju flasim nga ndonjë kënd i Çairit, për t’jua freskuar memorien se çka ka ndodhur me Çairin tonë përgjatë këtyre 12 viteve dhe do ju tregojmë se cila është zgjidha jonë përkitazi me ato probleme. Me këtë rast po e shpalosim paraqitjen tonë të parë, duke ju thënë se ai që gënjen quhet gënjeshtar, ai që mashtron quhet mashtrues, ndërsa ai që nuk e mban premtimin quhet i pabesë. Këto janë definicione që ne i kemi mësuar si fëmijë, por që tash na vijnë ndër mend, kur shohim se oponentët tanë politikë, pra partia që deri tash ka keqqeverisur me Çairin tonë, në vend se të dalë të kërkojë falje për shëmtinë e degradimin që ia ka bërë Çairit, akoma ka guxim të dalë të kërkojë votën e qytetarëve”, tha Ibrahimi.

Për të dëshmuar se çka ka ndodhur me Çairin, siç tha ai, “sot do ta kujtojmë vetëm një premtim të stafit që deri tash e ka keqqeverisur Komunën e Çairit ‘gazifikimin e Çairit'”.

“Ky është premtim që kryetari në ikje i Komunës së Çairit e pat bërë me shumë pompozitet dhe siguri se kjo punë do të bëhej gjatë mandatit 2013-2017. Prandaj, kur jemi sot këtu, unë dua t’i pyes qytetarët e Çairit dy pyetje: A ka ndodhur gazifikimi në Çair?..Dhe, meqë përgjigjen tashmë e dimë të gjithë, pyetja tjetër është: Nëse dje kryetari i Komunës nuk e ka mbajtur premtimin, pse qytetarët sot duhet t’i besojnë kandidatit tjetër të po kësaj partie?. Ne nuk lejojmë të mashtrohemi më. Neve nuk na bëjnë përshtypje prezantimet e bukura në slajde e fotografi të punuara bukur në Photoshop, as llafologjia e tyre, sepse krejt ato janë repriza me epilog të njohur: në fund kryepersonazhi e kryen mandatin duke mos i mbajtur premtimet, e shet shtëpinë dhe ikë në komunë tjetër”, tha Ibrahimi në konferencën për shtyp.

Ai më tej ka thënë se “nëse një herë gënjen dhe e thyen premtimin, gjithë jetën mbetesh gënjeshtar dhe i pabesë, ndërsa nëse gënjen 12 vjet rresht dhe pa fund herë, kjo bëhet detyrë e vështirë edhe për matematikanët më të mirë”.

“Megjithatë, ne jemi këtu për t’ju thënë se, pavarësisht se numri i mashtruesve në këtë fushatë është shtuar shumë, ne do të jemi këtu për të dëshmuar se nuk janë të gjithë pjesëmarrësit në këtë fushatë parazgjedhore mashtrues dhe premtimthyes. Shihemi nesër. Kështu deri në çlirimin e Çairit”, ka shtuar kandidati për kryetar të komunës nga Lëvizja BESA.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button