Qajani i BDI-së në Shutkë premton zgjidhje të problemit me ujin, kanalizimin, ndriçimin e rrugëve…

Kandidati i BDI-së për Komunën e Shuto Orizares, Xhelal Qajani sot në një takim me gazetarë prezantoi programin e tij për zgjedhjet lokale të 15 tetorit. Ai theksoi se BDI gjatë këtij mandati synon që ta shndërroj këtë komunë në një komunë moderne, duke vënë si prioritet hallet e qytetarëve.

“Bashkimi Demokratik për Integrim në zgjedhjet komunale të vitit 2013, edhe pse bindshëm fitoi besimin e shumicës shqiptare që jeton në këtë komunë, në pushtetin komunal ishim opozitë, andaj në këto zgjedhje Bashkimi Demokratik për Integrim para qytetarëve te kësaj komune garon me program dhe koncept qytetar gjithëpërfshirës për të gjitha komunitetet që jetojnë në këtë komunë”, tha Qajani.

Sipas tij punët të cilat kërkojnë zgjidhje të menjëhershme të quajtura si prioritete afatshkurta janë përmbyllja e procesit të legalizimit si dhe hapja e gjashtë bashkësive vendore në territorin e komunës me qellim që komuna të jetë më afër qytetarit dhe qytetari me lehtë t’i realizojë kërkesat e tij.

Problem eminent është edhe zgjidhja e problemit me ujin, kanalizimin, ndriçimi i të gjitha rrugëve dhe mirëmbajtja e tyre. “Mendojmë se këto janë çështje jetike dhe elementare për te cilat nuk ka asnjë kompromis”, tha ai.

Qajani më tej u shpreh se infrastruktura rrugore gjithashtu do të jetë prioritet dhe parashihen realizimi  projekteve të parashikuara si asfaltimi i gjitha rrugëve të Komunës, rregullimi i komunikacionit me shenja komunikacioni, kahëzim njëkatësh i rrugëve, vendosja e thjerrëzave (pasqyrave) nëpër rrugë ku ka nevojë.

Prioritet sipas Qajanit është edhe hapja e tunelit nën hekurudhë në lagjen e poshtme të Shuto Orizares, riaktivizimi (asfaltimi) i rrugës përreth hekurudhës që e lidh lagjen Vizbeg me lagjen e Butelit, hapja e një shkolle fillore në Orizare të Poshtme, hapja e tri çerdheve për fëmijë në tërë territorin e komunës, ndërtimi i terreneve sportive aty ku është e nevojshme dhe e mundur, përkrahja financiare për KF Napredok, themelimi i një ShKA dhe riaktivizimi i ShKA PRALIPE.

Kandidati për kryetar të Komunës së Shuto Orizares iu bëri thirrje të gjithë banorëve të kësaj komune që të mbështesin BDI-në në zgjedhjet e 15 tetorit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button