ZL2017: Tubim parazgjedhor i PDSH-shë në Zhitoshë, komunën e Dollnenit

Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) sonte në tubim para banorëve në fshatin Zhitoshë e prezentoi kandidatin për kryetar të komunës së Dollnenit, Eroll Abdiu.

Në tubim foli edhe kryetari i partisë, Menduh Thaçi si dhe bartësi i listës së këshilltarëve, Orhan Hasani, transmeton MIA.

Duke iu drejtuar banorëve të fshatit Zhitoshë, kandidati për kryetar i PDSH-së, Eroll Abdiu tha se nuk guxojnë të lejojnë banorët e vendeve të tjera në komunë, nga Debreshta, Cërnilishti, t’ua përcaktojnë mënyrën e jetesës dhe të dalin më 15 tetor të votojnë për kandidatin e PDSH-së.

“Si bashkëfshatar i juaji, mos lejoni të jeni argatë të vendbanimeve të tjera në komunë, siç është Debreshta, Lazhani, Cërnilishti, por vetë luftoni për mënyrën tuaj të jetesës. Votoni për kandidatin tuaj, Eroll Abdiu dhe mos hiqni dorë nga kjo. Ju lutem më 15 tetor dilni dhe votoni. Deri atëherë, çdo banor i Zhitoshës do të vizitohet, ndërsa ju derë më derë, shtëpi më shtëpi kërkoni mbështetjen për kandidatin tuaj. Nuk guxoni ta humbisni këtë mundësi e cila ofrohet njëherë në 50 vjet. Prandaj më 15 tetor votoni për numrin 15”, tha Abdiu.

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi porositi se PDSH nuk është parti nacionaliste.

“Vëllezër turq, boshnjakë dhe të tjerë mos i dëgjoni ata që thonë se PDSH-ja është parti nacionaliste. Partia jonë është parti kombëtare e shqiptarëve dhe lufton për të drejtat e tyre, por në të njëjtën kohë ju premtoj, se luftojmë edhe për të drejtat e juaja. Për këtë pyesni banorët e komunës së Studeniçanit dhe se sa janë ata të kënaqur prej kryetarit të deritanishëm të komunës. Dërgoni mesazh të drejtpërdrejt tek bashkëqytetarët tuaj që të votojnë për ne, pasi që nëse votojnë për partitë e tjera të bllokut maqedonas do të thonë nuk jeni të tyre. Ju bëj thirrje që të votoni për partitë shqiptare. Veçanërisht ju them që të votoni për kandidatin për kryetar të Dollnenit të PDSH-së, Eroll Abdiu”, tha Thaçi.

Banorëve të Zhitoshes iu drejtua edhe bartësi i listës së këshilltarëve të kësaj partie, Orhan Asani i cili tha se këshilltarët e PDSH-së me kandidatin për kryetar komune Abdiu do të punojnë në ndërtimin e infrastrukturës së komunës dhe për përmirësimin e jetës së banorëve të këtij rajoni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button