PO NA E SHKELE GJUHËN, NA KE LËNË PA FRYMË

Shumë njerëz të këtij vendi janë ngritur në këmbë ta zhvlerësojnë gjuhën shqipe, tash kur po bëhen përpjekje që sadopak të avancohet ajo për përdorim publik e zyrtar. Deputetë joshqiptarë, punonjës nëpër institute të trashëgimisë maqedonase, gazetarë militantë maqedonas thonë se mjaftuaka maqedonishtja për të na mbajtur bashkë e në paqe, për t’u marrë vesh mes vetes, thonë se shqipja nuk paska rëndësi për shtetin, por me rëndësi qenka begatia materiale, se maqedonishtja dhe vetëm maqedonishtja e ka të drejtën të jetë gospodar absolut gjuhësor në këtë hapësirë të vogël ku jetojmë bashkë. Kuptohet pohimet e tyre zënë vend po të thuhen vetëm për rëndësinë e gjuhës amëtare të një populli, kur e mbrojnë gjuhën e tyre amëtare para fqinjëve me të cilët kanë konteste politike, mirëpo kur këto pohime bëhen për të lartësuar gjuhën e tyre në dëm të gjuhës sonë, kur kjo bëhet për të insistuar  në ndonjë pushtet absolut të maqedonishtes mbi shqipen dhe për të nënçmuar gjuhën tonë shqipe, atëherë pohimet e tyre  në fakt janë një thirrje që shpie në nacionalizëm, janë fraza boshe, pohime koti, sepse gjuha shqipe është fryma jonë, të cilën nuk mund as ta bëjmë kurban e as ta japim peshqesh, po as nuk mund të lejojmë që gjithkush ta përbaltë atë. Pa gjuhën shqipe ne nuk do të ishim më, pa gjuhën tonë do të kishim qenë diku në humnerën e harresës kolektive, do të kishim qenë pa emër, pa identitetm do të kishim qenë nga ata që kanë përfunduar në rrënojat e Atlantidës.

Neve asnjë identitet tjetër nuk na bën këta që jemi. Shqiptarë na bën kjo gjuhë që e flasim, që e kanë folur me mileniume të parët tonë e që do të vazhdojmë ta flasim e ta kultivojnë, pa marrë parasysh retorikat nacionaliste të kujtdo qoftë dhe pa marrë parasysh marifetet politike.

Gjithçka mund të jetë çështje e dorës së dytë, e gjuhës – jo. Gjuha është amaneti që na e kanë lënë të parët ta ruajmë si sytë, si jetën, prandaj nuk do të heqim dorë prej saj kurrë dhe në këtë vendosmëri tonën kurrë nuk do të përdorim retorika nacionaliste kundër gjuhëve të tjera, sepse e dimë shumë mirë çfarë është pesha e gjuhës për çdo popull. Ama për ta mbrojtur gjuhën tonë shqipe – do ta mbrojmë.

Për rëndësinë e gjuhës le ta citojmë gjermanistin e njohur Fridrih Pancer:

“… Gjuha është arkiv i madh, në të cilin ruhen përgjithmonë të gjitha përjetimet e kombit – dhe jo si pergamena të pluhurosura, por si dëshmitarë përjetësisht të gjallë, gjithmonë të qartë, të përpjekjeve të popullit dhe të vuajtjeve të tij…”, “Është e qartë se, mbi këto shenja, në detin e gjuhës së përbashkët shkumëzon dhe valëzon veçoria e tërë popullit, se ajo i jep shijen e ngjyrën qenies së popullit. Vilhelm fon Humbolti, qysh moti, ka theksuar fuqimisht se shpirti dhe gjuha e një populli janë e njëjta  punë… Me këto fjalë është thënë se gjuha jonë nuk mund të jetë asgjë tjetër përveç se shpirti i popullit tonë, i cili është bërë i zëshëm, ngase edhe shpirti edhe fati janë gjithashtu, sipas fjalëve vizionare të Klajstit, e njëjta punë…”  (Fridrih Pancer, gjermanist i njohur gjerman). Ndërkaq Jakob Grimi, njëri nga themeluesit e filologjisë gjermane thekson: “Gjuha jonë, ajo është historia jonë”… “Prej të gjitha gjërave të cilat njerëzit i kanë zbuluar dhe i kanë shpikur… gjuha është pasuria më e madhe, më fisnike dhe më e domosdoshme”. J. Grimi, po ashtu thotë se gjuha askujt s’mund t’i mohohet për shkak se ajo i bie sikur t’ia mohosh frymën. (Citatet janë marrë nga libri i prof. Lazo Kostiqit, “Mbi gjuhën serbe, deklaratat e të huajve”, Izdanje srpske narodne odbrane u Kanadi, Hamilton, 1964.

Kështu: përfundimisht del se shpirti dhe gjuha e një populli janë e njëjta gjë, janë sinonime të vërteta, janë një organizëm i pandashëm.  Gjithmonë, pareshtur, që nga mbarimi i Luftës së dytë botërore e këndej, që të gjithë  intelektualët shqiptarë janë angazhuar për barabarësi midis maqedonishtes dhe shqipes, po kjo barabarësi, për fat të keq, nuk u arrit kurrë. Maqedonishtja e ruajti ekskluzivitetin, shqipja mbeti e dorës së dytë, e përbuzur.

Megjithatë shqiptarët nuk e zgjodhën rrugën e errët të nacionalizmit e të shovinizmit për zgjidhjen e këtij problemi madhor – barabarësinë e shqipes me maqedonishten – por, përkundrazi, gjithmonë zgjidhjen e kemi kërkuar përmes rrugëve institucionale.

Fatkeqësisht, nga pala tjetër nuk fryu kurrë një erë tolerance, nuk u ngrit një zë serioz kundër fyerjeve që iu bënë shqipes dhe shqiptarëve nga ana e disa politikanëve e gazetarëve nacionalistë maqedonas, të cilët me vendosmëri e imitonin (dhe vazhdojnë ta imitojnë) propagandën e vjetër antishqiptare serbe dhe greke, pa menduar fare se duke u përpjekur të na e shkelin gjuhën në fakt na ngulfasin, na e marrin frymën.

Tash, në këtë përbërje të shumicës parlamentare,  e kanë rastin e mirë njerëzit e arsyeshëm ta përmirësojnë këtë gabim historik, e kanë rastin të dëshmojnë se vetëm koekzistenca paqesore e vetëm toleranca na duhen dhe se gjuha shqipe asgjë e askënd nuk  dëmton, po përkundrazi e bën më të pasur vendin me një traditë mileniumesh. Këtë tolerancë e koekzistencë e kanë Zvicra, Belgjika, Finlanda e disa shtete tjera, po ku janë ata me zhvillim e ku jemi ne?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button