Ademi: Jemi mobilizuar të gjithë BASHKË, për komunën që duam

Zëdhënësi i Shtabit Qendror të Zgjedhjeve i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, sot në konferencë për shtyp i shpalosi aktivitetet, ofertën dhe agjendën politike për zgjedhjet lokale të 15 tetorit.

Ademi theksoi se prej sot zyrtarisht ka filluar fushata parazgjedhore, dhe BDI si parti është mobilizuar të gjithë BASHKË, siç thotë, aktivistët, kandidatët dhe kreu i partisë, për ta prezantuar vizionin për komunat e katërvjeçarit të ardhshëm.

“Bashkimi Demokratik për Integrim, në këto zgjedhje del me sloganin kryesor ‘BASHKË’, dhe do të jemi BASHKË PËR KOMUNËN QË DUAM, duke e vendosur qytetarin në qendër të vëmendjes dhe interesimit tonë, për ta afruar atë me administratën komunale, për shërbime më të shpejta dhe efikase, për infrastrukturë moderne, dhe për një ndryshim rrënjësor pozitiv të cilësisë së jetës. BDI, që nga sot në terren ka kandidatët për kryetarë komunash dhe këshilltarë, si dhe mijëra aktivistë, të cilët në çdo vendbanim, do të përcjellin ofertën tonë te secili qytetar, me plane dhe projekte konkrete, për zhvillimin e komunave që duam”, ka thënë Ademi në konferencë për shtyp.

BDI, shton ai, hyn në këto zgjedhje e përgatitur me një ofertë konkrete dhe ambicioze, me specifika për çdo komunë të veçantë, që do të shtjellohen nga kandidatët në komunikimet e drejtpërdrejta me qytetarët.

“Ne do të zhvillojmë fushatë moderne dhe inter-aktive, me takime të drejtpërdrejta me qytetarët, shtëpi më shtëpi, nëpër punëtori e biznese, nëpër rrugë e sheshe, të cilat vazhdimisht po ndryshojnë për të mirë. Interes i jashtëzakonshëm i BDI-së dhe kandidatëve tanë, është që kjo fushatë dhe këto zgjedhje, të kalojnë në atmosferë të qetë, korrekte, demokratike dhe festive, që qytetarët tanë të kenë shansin të zgjedhin në mënyrën më të lirë të mundshme kryetarët e komunave dhe këshilltarët që DUAN. Në këtë frymë, një ditë më parë, të gjithë kandidatët tanë nënshkruan në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, kodeksin për zgjedhje korrekte dhe demokratike.Në çdo komunë, kandidatët për kryetarë dhe ata për këshilltarë, do të jenë pa ndërprerë në terren në bashkëbisedim me qytetarët, ndërsa kryetari i partisë Ali Ahmeti dhe SHQZ, për çdo ditë do të vizitojnë komunat ku garojmë”, ka sqaruar Ademi.

Nesër, karvani i udhëhequr nga kryetari i BDI-së Al Ahmeti, do të vizitojë komunat e Pllasnicës dhe Dollnenit, ku do të ketë rastin të takohet me qytetarët dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë të komunikojë në lidhje me kërkesat dhe nevojat e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button