Xhaferi takon përfaqësuesit e Dhomës së Lordëve në Parlamentin Britanik

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, në organizim të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Maqedoni, zhvilloi takim me delegacionin e Komisionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Dhomës së Lordëve në Parlamentin Britanik, Bruce Groccot dhe Jim Cousins, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nga kabineti i kryeparlamentarit të Maqedonisë theksojnë se Xhaferi në fillim të takimit shprehu mirënjohje të madhe për përkrahjen e fuqishme dhe të hapur që Mbretëria e Bashkuar i jep Maqedonisë në raport me reformat e duhura të brendshme në rrugëtimin e saj drejt integrimit në strukturat euroatlantike.

Xhaferi ka thënë se edhe përskaj Brexit-it, në Maqedoni edhe më tutje do të jenë të mirëseardhura përvojat britanike nga anëtarësia në Bashkimin Evropian, të cilat sipas tij, do të ndihmojnë në realizimin e qëllimit strategjik, që është anëtarësimi i plotfuqishëm në Bashkimin Evropian.

“Kryetari i Kuvendit u përgjigj se ato janë avancimi i proceseve demokratike, përforcimi i institucioneve, përforcimi i rolit kontrollues të parlamentit, parlament transparent dhe sipas këtyre sfidave edhe nevoja për ndryshime të caktuara në Rregulloren e Kuvendit”, është përgjigjur Xhaferi në pyetjen se cilat janë sfidat e para me të cilat është ballafaquar ai gjatë ndërmarrjes së këtij funksioni të lartë shtetëror.

“Funksioni i kryetarit të Parlamentit është më i rëndësishmi dhe më i përgjegjshmi, veçanërisht gjatë ndërrimit të pushteteve. Kjo pozitë kërkon përkushtim të madh personal dhe durim, ndërsa fakti që mendimi publik dhe përkrahja publike janë përmirësuar, e inkurajojnë në plotësim për punë kryetarin aktual të Kuvendit”, kanë theksuar Groccot dhe Cousins.

Nga kabineti i kryeparlamentarit Xhaferi theksojnë se bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime rreth sfidave të ardhshme të përbërjes së re parlamentare, rreth rolit të Kuvendit si korrektues i pushtetit ekzekutiv dhe për reformat e duhura sipas Planit “3-6-9” të Qeverisë në drejtim të integrimit sa më të shpejtë të Republikës së Maqedonisë në strukturat euroatlantike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button