Trump, sanksione të reja ndaj Koresë së Veriut

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi këtë të enjte se Shtetet e Bashkuara do t’i shtojnë edhe më tej sanksionet kundër Koresë së Veriut, ndërsa u ka bërë thirrje aleatëve të Amerikës të zbatojnë me përpikmëri sanksionet ekzistuese ndërkombëtare, si mënyra më e mirë për ta detyruar Penianin të tërhiqet nga programi i armëve bërthamore, transmeton Top Channel. 

“Sanksionet, megjithatë, nuk pritet të godasin më tej furnizimet me naftë”, tha një zyrtar i lartë i administratës për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Tensionet janë rritur së tepërmi gjatë javëve të fundit për shkak të testeve bërthamore dhe ato të raketave balistike nga Veriu komunist, pavarësisht presionit intensiv nga fuqitë botërore. Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka vendosur në mënyrë unanime plot 9 raunde sanksionesh ndaj Koresë së Veriut që prej vitit 2006, me më të fundit më herët gjatë këtij muaji, që shënjestronte furnizimet me naftë të shtetit të izoluar komunist.

“Do të vendosim më shumë sanksione ndaj Koresë së Veriut”, tha Trump në përgjigje të një pyetjeje gjatë takimit me presidentin afgan, Ashraf Ghani, në Nju Jork, në kuadër të mbledhjes së përvitshme të udhëheqësve botërorë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Trump pritet ta shpallë zyrtarisht këtë vendim së bashku me kryeministrin japonez, Shinzo Abe, si dhe me presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in, pak pas dreke me orën lokale.

Trump tha më herët se kishte diskutuar së bashku me Moon çështjet tregtare dhe Korenë e Veriut. “Mendoj se jemi duke shënuar progres të madh në disa çështje”, u tha reporterëve kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Këtë të enjte, presidenti koreano-jugor Moon bëri thirrje që kriza bërthamore e Koresë së Veriut të zgjidhet, sikurse edhe të ruhet paqja në gadishullin e përçarë korean. “Sanksionet kanë qenë të nevojshme për ta sjellë Penianin në tryezën e negociimeve, e për ta detyruar të heqë dorë nga armët bërthamore, por Seuli nuk synon aspak rrëzimin e regjimit koreano-verior”, tha Moon.

“Të gjitha përpjekjet tona po bëhen për të parandaluar një luftë të mundshme dhe për të ruajtur paqen në rajon”, tha Moon në fjalimin e tij, duke shtuar se çështja e armëve bërthamore të Veriut “duhet të menaxhohet në mënyrë të qëndrueshme, në mënyrë që tensionet të mos bëhen edhe më të intensifikuara, apo që përplasjet aksidentale ushtarake të mos minojnë paqen”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button