Në Maqedoni, mbi 20 mijë me Alzheimer, vetëm 10 përqind prej tyre trajtohen me terapi

Me rastin e 21 Shtatorit – Ditës Botërore të Sëmundjes së Alzheimerit, në sheshin “Maqedonia” u vendos një tendë me qëllim të ngritjes së vetëdijes publike dhe për të njoftuar qytetarët me hapat për parandalimin e kësaj sëmundjeje të pakurueshme dhe degjenerative, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë tendë i pranishëm ishte edhe ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë, Arben Taravari, i cili theksoi se në bazë të barnave që harxhohen numri i personave që trajtohen me këtë sëmundje në Maqedoni është dy deri në tre mijë mijë pacientë.

“Qëllimi është që t’i vetëdijësojmë qytetarët që pacientët të cilët kanë simptoma të kësaj sëmundje të paraqiten te mjeku. Normalisht me trajtimin do të kemi jetë më cilësore të pacientëve”, u shpreh Taravari, duke shtuar se ata pacientë duhet të diagnostifikohen me kohë, që të shërohen në mënyrë adekuata.

Njëra nga organizatorët e kësaj ngjarje, neurologia Gabriela Novotna theksoi se këto aktivitete mbahen me qëllim që mos të harrojmë se kjo sëmundje ekziston. Ajo shtoi se Alzheimeri është një epidemi e heshtur, e cila ngadalë bëhet shkaku kryesor i vdekjes.

“Sipas statistikave botërore kjo sëmundje më shpesh paraqitet pas moshës 45 vjeçare. Në Republikën e Maqedonisë rreth 20 mijë persona janë të sëmurë me Alzheimer dhe ky nuk është një numër i vogël. Mirëpo, sipas shitjes së barnave vetëm 10 përqind e tyre janë trajtohen me terapi”, u shpreh Novotna, duke apeluar që personat e sëmurë t’i sjellin në terapi dhe jo t’i ruajnë në shtëpi.

Sëmundja e Alzheimerit është lloji më i shpeshtë i problemeve mendore. Simptomat e Alzheimerit, përfshirë ato fillestare, janë problemet me memorien, me të vlerësuarit dhe të menduarit, që e bën të vështirë për personin të punojë ose të jetojë normalisht ditë pas dite. Me përkeqësimin e kësaj sëmundje humbet kujtesa. Tek shumë njerëz këto simptoma përmirësohen me ndihmën e barnave, por nuk ka shërim të plotë për këtë lloj sëmundje.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button