Vulin: Lista Serbe nuk do të lejojë formimin e forcës së armatosur të Kosovës
Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, tha se Lista Serbe nuk do të lejojë formimin e forcës së armatosur të Kosovës, përcjell REL.
Lista Serbe i përfaqëson serbët e Kosovës në Qeveri dhe Kuvend.
Duke folur për gazetën beogradase Politika, Vulin tha se Qeverinë e Serbisë nuk mund ta bindë askush për formimin e ushtrisë së Kosovës.
“Nuk ka organizatë, nuk ka fuqi, nuk ka presion politik që na detyron të pranojmë formimin e një force të armatosur në territorin tonë, të një force të armatosur që do të ishte nën komandën e dikujt tjetër, të një force të armatosur që do të kërcënonte Serbinë qendrore dhe serbët në Kosovë”, tha Vulin.
Ai shtoi se me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara është e përcaktuar se misioni i NATO-s, KFOR, është e vetmja forcë e armatosur që mund të ekzistojë në Kosovë.