fbpx

Tiranë, ka nisur edicioni i 12-të i Festivalit të Filmit për të Drejtat e Njeriut (FOTO)

Ka filluar edicioni i 12-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut (IHRFFA), me shfaqjen e filmit dokumentar “Dugma: The Button”, që po mbahet në Tiranë.

Temë qendrore e këtij edicioni është “Populizmi dhe Radikalizmi”, ndërsa ceremonia e hapjes së festivalit është mbajtur në ambientet e Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi”.

Në ceremoninë e hapjes mbajti fjalim përshëndetës edhe ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borçardt, i cili theksoi se arti i përket dhe është domethënës për të gjithë njerëzit, pavarësisht sfondit të tyre kombëtar, kulturor apo shoqëror.

“Çdo vjeshtë festivali tërheq artistë, shoqërinë civile, institucionet shtetërore dhe plot të ftuar nga mbarë bota. Elementi i veçantë është se ne vijmë këtu jo thjesht për të vlerësuar artin, por me dëshirën që ky vlerësim të na bëjë të kuptojmë më gjerë dhe më thellë problematikat aktuale të të drejtave të njeriut”, theksoi Borçardt.

Ai më tej shtoi se në 20 vitet e angazhimit të vazhdueshëm të OSBE-së në Shqipëri, kanë shpallur zëshëm mbështetjen e tyre për promovimin e të drejtave të njeriut.

“E kemi parë se si aktualisht racizmi dhe nacionalizmi po gjejnë gjithnjë e më shumë terren në Evropë dhe në botë. Kushtet themelore për demokracinë, si respekti për faktet, lirinë e shtypit dhe vlerën e barazisë mes njerëzve, po injorohen në mënyrë flagrante”, u shpreh Borçardt.

Filmat pjesëmarrës janë nga Shqipëria, Kosova, Greqia, Serbia, Austria, Zvicra, Australia, Spanja, SHBA, Kanadaja, Danimarka, Gjermania, Holanda, Franca, Norvegjia, Republika Çeke, Bullgaria, Rumania, Gjeorgjia, etj.

IHRFFA do të vazhdojë deri më 23 shtator, ndërsa Festivali organizohet nga Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe OSBE-së.

Sipas organizatorëve edicioni i 12-të i këtij festivali ka shënuar një shifër prej 3.000 aplikimesh, ndërsa janë përzgjedhur 39 prodhime, disa prej të cilëve më çmime në festivale të ndryshme ndërkombëtare.

Tema e këtij edicioni, ku hyrja do të jetë e lirë për publikun, do të trajtohet edhe gjatë debateve, forumeve dhe shfaqjeve të këtij festivali.

Image may contain: one or more people, people standing, night and outdoor

Image may contain: 2 people, people on stage and people standing

Image may contain: 1 person, standing, wedding, suit and outdoor

Image may contain: 1 person, crowd, tree and outdoor

Image may contain: 3 people, people sitting and outdoor

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button
Close