Rritet numri, të paktën 248 persona humbën jetën në tërmetin në Meksikë, vazhdojnë aksionet e shpëtimit

Ekipe të shpëtimit dhe qytetarë e vazhdojnë kërkimin pas të mbijetuarve nga tërmeti i madh që e goditi Meksikën, ku humbën jetën 248 persona.

Mediat lokale njoftojnë se ushtarë dhe zjarrfikës janë përfshirë posaçërisht në shpëtimin e fëmijëve në një shkollë në Meksiko Siti, e cila u rrënua nga tërmeti.

“Ushtarë dhe zjarrfikës kanë gjetur trupa të 22 fëmijëve dhe dy personave të moshuar nën rrënojat e shkollës ‘Enrike Rebsamen’. Ata janë në kërkim edhe pas 30 fëmijëve dhe 12 personave të moshuar të cilët konsiderohen të zhdukur”, deklaroi presidenti meksikan, Enrike Penja Nieto. Mediat i përshkruajnë ngjarjet rreth shkollës si “kaotike”. Tre persona janë shpëtuar mbrëmë  nga kjo shkollë.

Në tërmetin me intensitet prej 7,1 ballë sipas shkallës së Rihterit, të paktën 248 persona e kanë humbur jetën, prej të cilëve numri më i madh në kryeqytetin Meksiko Siti – 117, konfirmoi shefi i mbrojtjes civile, Luis Felipe Puente.

Në shtetin Morelos jetën e kanë humbur 55 persona, ndërsa 39 viktima ka në shtetin Puebla.

Në fjalimin televiziv, presidenti meksikan Nieto kërkoi nga popullata të mbetet e qetë dhe t’u lejojë ekipeve të shpëtimit të punojnë pa ndërprerje.

“Popullata duhet të mbetet në vend të sigurtë dhe të mundësojë lëvizje të pandërprerë të automjeteve për ndihmë të shpejtë”, tha ai.

Dhjetëra ndërtesa janë rrënuar në një rajon me popullsi të dendur të kryeqytetit meksikan dhe ekipe të shpëtimit janë në gjurmim për të mbijetuarit. Miliona amvisëri janë pa energji elektrike nga tërmeti që e goditi Meksikën në orën 13:14 sipas kohës lokale.

Prefekti i Meksiko Sitit, Migel Anhel Mansera deklaroi se 44 dnërtesa janë rrënuar ose dëmtuar ndërsa disa janë përfshirë nga zjarre. Epiqendra e tërmetit ka qenë në kufirin midis shteteve Puebla dhe Morelos në thellësi prej 51 kilometra.

Presidenti i Meksikës, Enrike Penja Nieto për sot konvokoi seancë urgjente të Komitetit kombëtar për gjendje të jashtëzakonshme.

Në kryeqytet janë rrënuar të paktën 38 ndërtesa dhe shumë shtëpi. Agjencia seismologjike e Meksikës ka regjistruar disa dridhje të njëpasnjëshme, prej të cilave më e fuqishmja ka qenë me intensitet 4,9 ballë sipas Rihterit. Presidenti meksinan dha urdhër për evakuim të të gjitha spitaleve që janë dëmtuar. Nga dridhja është ndërprerë furnizimi me gaz në pjesën më të madhe të shtetit dhe të paktën 4,8 milionë njerëz janë pa energji elektrike. Në pjesën më të madhe të ndërtesave janë regjistruar zjarre.

Tërmeti i djeshëm ndodhi vetëm disa orë pas përfundimit të komemoracionit në përkujtim të viktimave nga tërmeti me intensitet prej 8,0 ballë sipas Rihterit, që e goditi Meksiko Siti në vitin 1985, në të cilin jetën e humbën më shumë se 10.000 persona.

Ky është tërmeti i dytë i fuqishëm në Meksikë këtë muaj, pas atij nga 7 shtatori me intensitet prej 8,1 ballë sipas shkallës së Rihterit, që e goditi shtetin federal jugor meksikan  Çiapas, me ç’rast jetën e kanë humbur 98 persona, ndërsa mbi 300 janë lënduar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button