Shqipëri, niset kontingjenti i 6-të në operacionin e NATO-s në Egje

Në Komandën e Forcës Detare të Shqipërisë, u zhvillua sot ceremonia e përcjelljes së kontingjentit të 6-të të anijes “Oriku” në operacionin e NATO-s “Sea Guardian”, në Detin Egje, transmeton Anadolu Agency (AA).

Të pranishëm në ceremoni, ishin ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, komandanti i Forcës Detare, gjeneral major Ylber Dogjani dhe familjarë të pjesëtarëve të ekuipazhit.

Në një njoftim zyrtar nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, thuhet se në fjalën e tij, Dogjani, vlerësoi rolin e 5 kontingjenteve të para, në vëzhgimin dhe parandalimin e fluksit të emigrantëve të paligjshëm në Egje.

Ndërsa, sipas njoftimit, ministrja Xhaçka, e cilësoi krizën e refugjatëve si një prej sfidave më të mëdha që po përjeton sot Evropa.

“Janë mbi 540 persona të moshave, gjinive dhe shtetësive të ndryshme, që ju u keni shpëtuar jetën. Sirianë, irakianë, por edhe nigerianë, kongolezë, somalezë e jemenas, sot jetojnë falë sakrificës së ushtarakëve shqiptarë. Vetëm në dy muajt e fundit, kontingjenti që ju do zëvendësoni, ka shpëtuar 151 jetë njerëzore, prej të cilëve 33 gra dhe 56 fëmijë. Na keni bërë të gjithëve krenarë, jeni shembulli më i mirë i sakrificës dhe i vetëmohimit”, është shprehur Xhaçka.

Pjesë e ekuipazhit nga Shqipëria do të jenë edhe 2 femra, togere Aurela Bala dhe rreshtere Esmeralda Murati, që sipas Ministrisë së Mbrojtjes do të jenë 2 gratë e para të Forcave të Armatosura të Shqipërisë që do të jenë pjesë e një operacioni ndërkombëtar detar.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button