Karaibet, sërish nën darën e stuhive

Stuhia pritet të kthehet në një stuhi të fuqishme e të rrezikshme, teksa i afrohet ishujve Leeëard në Karaibe. Stuhia, e cila për momentin është e kategorisë së parë, pritet të fuqizohet ndjeshëm përgjatë dy ditëve në vijim, e do të godasë ishujt qysh pasditen e kësaj të hëne, sipas parashikimeve të Qendrës Kombëtare amerikane të stuhive, shkruan Top Channel.

Kjo e fundit po vijon nëpër të njëjtën trajektore si “Irma”, uragani që shkatërroi thuajse tërësisht rajonin më herët gjatë këtij muaji. Paralajmërime si pasojë e stuhisë janë lëshuar për Guadeloupe, Dominica, St. Kitts dhe Nevis, Monserrat dhe Martinique.

Një situatë mbikëqyrjeje e stuhisë është në fuqi edhe për ishujt amerikanë e britanikë Virgin, St. Martin, St. Barts, Saba, St. Eustatius dhe Anguilla. Disa prej këtyre ishujve ende nuk e kanë marrë veten pas goditjes nga “Irma”, stuhia e kategorisë së pestë që la të paktën 37 viktima dhe shkaktoi dëme miliarda dollarëshe.

Në përllogaritjet e fundit, “Maria” konsiderohet me erëra prej rreth 137 km në orë. Syri i stuhisë është ende 140 milje në verilindje të Barbadosit, ndërsa “Maria” po lëviz drejt perëndimit dhe veriperëndimit me të paktën 20 km në orë.

“Në trajektoren e parashikuar, qendra e stuhisë ‘Maria’ do të kalojë përmes ishujve Leeëard gjatë pasdites së të hënës dhe mesnatës, e më pas do t’i drejtohet verilindjes së detit të Karaibeve të martën dhe deri në mesnatë”, thuhet nga Qendra Kombëtare amerikane e stuhive.

Barbuda është njëri prej ishujve që është evakuuar që prej shkatërrimit nga “Irma”. Qendra e sipërpërmendur njofton gjithashtu edhe për rreshje prej rreth 51 cm në qendër dhe jug të ishujve Leeëard, përfshi edhe në Puerto Rico dhe ishujt Virgin, gjatë mesnatës së të mërkurës.

Më herët gjatë këtij muaji, “Irma” la më shumë se 2/3-tat e shtëpive në pjesën holandeze të ishullit St. Martin (Sint Maarten) të pabanueshme, pa energji elektrike dhe pa furnizim me gaz apo ujë të pijshëm. Qeveria franceze njoftoi se pjesa franceze e ishullit të njohur edhe si Saint Martin pësoi 1.2 miliardë euro dëme, me 9 të vdekur të regjistruar. Në ishujt Virgin britanikë, e gjithë zona e banimit ka mbetur e rrafshuar. Pas një vizite në zonë, Sekretari britanik i Jashtëm, Boris Johnson e përshkroi shkatërrimin si diçka që “nuk është parë që prej Luftës së Parë Botërore”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button