Testi i Koresë së Veriut përçan fuqitë botërore

Provokimi i fundit i Koresë së Veriut, që lëshoi një raketë balistike mbi Japoni për herë të dytë në disa javë, ka përçarë fuqitë botërore, të cilat u bashkuan pas sanksioneve të reja të OKB-së vetëm pak ditë më parë, transmeton Top Channel. 

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson e bëri të qartë se barra e përgjegjësisë duhet të bjerë mbi Kinën, aleatin kryesor të Penianit, dhe Rusinë, që gjithashtu ka lidhje me shtetin komunist.

“Ata duhet të tregojnë se nuk do t’i tolerojnë këto akte provokuese e të rrezikshme, duke ndërmarrë veprime konkrete ndaj Koresë së Veriut”, tha Rex Tillerson, Sekretar Shteti. Ai shtoi se Pekini ishte furnitori kryesor me naftë i Koresë së Veriut.

Por Kina nxitoi të replikonte se Uashingtoni po përpiqej të hiqte përgjegjësinë nga vetja, me një zëdhënëse të Ministrisë së Jashtme që tha se, Pekini nuk ishte i përfshirë drejtpërdrejt në konflikt.

“Palët e përfshira në mënyrë të drejtpërdrejtë duhet të marrin përgjegjësinë. Çdo përpjekje për të larë duart nga çështja është e papërgjegjshme dhe jo e frytshme”, tha Hua Chunying, zëdhënëse kineze.

Ndërsa Moska dënoi atë që e quajti retorikë agresive të Shteteve të Bashkuara. Raketa e lëshuar mbi Japoni kishte rreze të mjaftueshme veprimi për të goditur territorin amerikan të Guamit.

Duke arritur lartësinë e rreth 770 kilometrave, ajo fluturoi për 3.700 km para se të binte në ujërat pranë Hokaidos. Kjo është distanca më e madhe e përshkuar ndonjëherë nga një raketë balistike koreano-veriore, sipas asaj që tha Joseph Dempsey, nga Instituti ndërkombëtar për Studime Strategjike në një postim në “Twitter”.

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut u përgjigjën brenda disa minutave, duke hedhur dy raketa në det, në një sulm të simuluar ndaj Veriut komunist.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button