Kujtesë…Istref Begolli

“U lodha duke e përseritur jetën time. Nuk mundem më! Më dëgjoni për herë të fundit. Unë isha ai që kërkonte vendin ku do të ishte e dobishme puna e tij, zanati që di. Unë s’di tjetër pos lojës sime. Kjo është ikja ime e fundit. Po i kthehem zërit të sime amë që më thërret… Ja balta që u krijua nga dheu. Do të mbillem në këtë baltë…”.

(Istref Begolli në “Bregun e pikëllimit” të Teki Dërvishit,- 1986)

Pas borës së qershorit të viteve të tetëdhjetë në Shkup, me rekuizitat e skenës dhe tekstet e ndaluara të dramaturgut në xhep, këthehem në Prishtinë. Në skenën e re takoj statujen e Eskilt dhe pas saj tragjediantin e parë të aktrimit tonë, Istref Begollin. Ai ishte një aktor i madh i teatrit. Padyshim ndër më të mëdhenjt e Gadishullit. Ky ishte fati i tij…
Para lufte rrinte i vetëm në Odë. I mbyllur mes mureve gri që mbanin pikturat me ngjyrë etnosi të Mulliqit, Shkrimin e shenjtë në kornizë, fotografi përsonazhesh nga shfaqjet, kritika të moçme teatrore, gazeta të zverdhura mbi tavolinë… Kohën dhe shkëlqimin që mungonte…
Pas agresioni dhe eksodi prap i vetëm. Me një makiato në kafe-teatër. Përcillte kohën mbi akrepat e orës në një tavolinë. Jetonte me të kaluarën. Nuk e vërente humbjen, rrënimin, as fundin fatal!…
Istref Begolli i takon plejadës së aktorëve që vunë themelet e artit skenik në Kosovë. Dekada me radhë ishte ikonë e këtij teatri. Kishte shenjë mbrojtëse dhe kod mjeshtëria e aktrimit të tij. Kreacioni i tij prezentonte kultin e skenës sonë dhe përsonazhet e tij brilante paralamëronin historinë e re të teatrit modern. Ishte aktor me prirje dhe habitus të rrallë. Aktrimi i tij burimor: pamja, intuita, shqiptimi, timbëri i zërit, forca aktruese, semiologjia skenike, fjala dhe krejt trupi i tij ishin në shërbim të një estetike teatrore që karakterizon përsonalitete artistësh të një rangu të lartë.
Begolli kishte figurën e një Prometheu antik (si ajo statuja e Eskilit që e takova në fillim), shpirtin e një magu që sapo ngjitej në skenë me heshtjen e rëndë dhe hapat që shkelnin qetë, trondiste skenën apo “dërrasat” qe dikush i quajti “ jetë”. Përsonazhet e tij ngjanin në një pikturë të gjallë, shfaqjet ku aktronte ai kishin “Pamje ferri”, si te Dante. Dhe ai ishte një fisnik që udhëtonte për në Parajsë.
Mbante llogari mbi gjendjen e trupit dhe të shpirtit. Kishte botëkuptim të gjithanshëm artistik mbi teatrin dhe filmin si art i gjallë.
Puna aktoreske për te ishte një dhunti krijuese. Përsonazhet e tij ishin skulptura të skalitura deri në detaje. Ishte inferior dhe refuzues ndaj pseudokrijimtarisë, shundit, kiçit dhe spekulimit teatror. Ishte një klasik modern, me prirje dhe talent, një maestro i madh dhe aktrimi për te ishte një ritual jete, një refleksion shpirti dhe intelekti. Për te, puna në skenë ishte një shqiptim ëndërre, një si udhë shpirti, një lloj Nirvane deri në katarsis. Një jetë e jetuar në kozmos…
Pra ai e njihte teatrin antik të Eskilit në Greqi apo ate të mbretit Progon në Iliri.
Begolli e lartësoj aktrimin shqiptar. Ishte Moisiu i ri i skenës shqiptare.
Aktroj në shum shfaqje dhe filma artistik. Disa nga rolet e tij antologjike i realizoj tek: „Erveheja“, „Gjenerali i ushtrisë së vdekur“, „Shtetrrethimi“, „Otello“, „Riçardi i tretë“, „Makbethi“, „Agamemnoni“, „Sfinga e gjallë“, „Dërvishi dhe vdekja“, „Konfiteori“ dhe „Bregu i pikëllimit“.
Pas eksodit të madh dhe kthimit në Kosovë, Talia i hapi portat për artist dhe udhetarë… Në skenën me atmosferë çehovi në holin teatror, në një tavolinë Istrefi Begolli (me do te tjere) ulej qetë. Ngadalë hiqte orën nga dora, lexonte kohën e artit dhe të lirisë mbi akrepa. Bënte një ritual, në pritjen fatale ndoshta të një roli, ndoshta të një mbretit Lir…
Në errësirën skenike, Talia e tij e dashur vallëzonte mbi në një bordel. Ai fare nuk e kthente koken pas… Bardin askush nuk e shihte, askujt nuk i duhej dhe ai asgjë nuk kërkonte. Ishte vete ai mjeshtri i harrimit!…
Pasi dikurë, do të tjerë na mësuan se sa pak vlenë kjo jeta jonë,- pas ritualit të përditshëm dhe pritjes së gjatë: ai një ditë u ngrit nga tavolina ime qetë. Vuri orën në dorë, zbriti shkallëve teatrore. Në barnatore bleu një ilaç të lirë mbi vetminë dhe u ngjit „Bregut të diellit“ për shërim… Pikërisht si dikur përsonazhi i tij në “Bregun e pikëllimt” tridhjetë vjet më parë, që i jepte jetës fund! Por tash jo në skenë…
Një natë dimri me borë ( nga një penicilinë), në të shtatëdhjetat, vital dhe impozant, njeriu fisnik, me mjekërr dhe flokë të bardhë ra në komë, në një gjum të thellë dhe të gjatë. Nuri i vdekjes i qendronte mbi koke. Doajeni i skenës i tha kësaj bote: lamtumirë!…
Ishte ky akti i fundit i dramës së tij: pa publik, pa duartrokitje, pa fjalë mortore pa kolegë e miq. Si në një poezi – protestë të Jeseninit.
Ishte ky testamenti i tij.
Pastaj dikush tha se ishte kjo nata kur nga injoranca e “vranë” Istref Begollin.
Si dikurë: “dita kurë e vranë Gjon Lenonin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button