Pacolli zhvilloi vizitën e tij të parë në Shqipëri në takime me lidershipin shqiptar

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacollin vizitën e tij të parë në këtë funksion e realizoi në Shqipëri ku u takua me lidershipin shqiptar.

Në takimin  me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama është vendosur se mbledhja e dy qeverive do të mbahet në Korçë në 27 Nëntor dhe në 28 nëntor, dy qeveritë do të jenë në Vlorë për Flamurin.

“Me ZvKm&Ministrin e Jashtëm të Kosovës pas një takimi ku dakordësuam dhe mbledhjen e dy qeverive.Korçë 27 nëntor28 në Vlorë për flamurin”, shkruan Rama në profilin e tij në Facebook bashkangjitur edhe me foto.

Presidenti  i Shqipërisë Ilir Meta në takimin e realizuar me zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacollin e uroi për krijimin e qeverisë së re të Kosovës si dhe për detyrën e tij në këtë qeveri.

Meta, shprehu angazhimin e tij në mbështetje njohjesh të mëtejshme ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, transmeton ATSH.

Gjithashtu ai përshëndeti gatishmërinë e qeverisë se re të Kosovës për vazhdimin e dialogut me Serbinë, si një proces pa alternativë dhe në funksion të paqes në rajon.

Meta, theksoi rendësin e bashkëpunimit rajonal si një element kyç në promovimin e stabilitetit, sigurisë dhe paqes në gjithë rajonin.

“Procesi i Berlinit është një mundësi e mirë për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtuar perspektivën tonë të përbashkët evropiane”, theksoi presidenti shqiptar Ilir Meta.

Ai theksoi se Shqipëria i kushton një vëmendje parësore marrëdhënieve të NATO-s me Kosovën, ruajtjes së një pranie substanciale të KFOR-it, për garantimin e një mjedisi të sigurt jo vetëm në Kosovë por në të gjithë Rajonin.

Pacolli pati takim edhe me homologun e tij ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati.

Gjatë takimit Bushati nënvizoi se vizita e parë e homologut Pacolli pikërisht në Tiranë përbën padyshim sinjalin më të shkëlqyer të bashkëpunimit të ngushtë politik e vëllazëror mes dy qeverive.

Gjithashtu, ai evidentoi kontributin e pazëvendësueshëm të Pacollit në shtetndërtimin e Kosovës dhe në veçanti në fuqizimin e sovranitetit dhe subjektivitetin e saj ndërkombëtar.

Dy bashkëbiseduesit ndanë mendimin se Partneriteti Strategjik e gjithëpërfshirës mes dy vendeve tona, në të gjitha fushat dhe nivelet, shërben si një model dhe inkurajim për bashkëpunimin rajonal.

Të dy zyrtarët diskutuan edhe për sa i përket nevojës për racionalizimin e forcave, burimeve njerëzore në përfaqësimin diplomatik e konsullor.

“Është ambicia jonë e përbashkët për ta zgjeruar hartën e bashkëveprimit politik e diplomatik për t’i shërbyer sa më mirë shtetasve tanë”, theksoi Bushati.

Bushati rikonfirmoi sërish mbështetjen e Shqipërisë në të gjitha proceset që po kalon Kosova, veçanërisht në avancimin e njohjeve e të anëtarësimeve në forumet ndërkombëtare, bashkëpunimin me NATO-n dhe BE-në.

Nga ana e tij, Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës Behgjet Pacolli uroi Ministrin Bushati për rikonfirmimin në detyrë si dhe nënvizoi nevojën e vijimit të misioneve diplomatike të përbashkëta.

Zëvendëskryeministri Pacolli u ndal gjithashtu tek lëvizja e lirë për të cilën shprehu bindjen se mes qeverisë “Rama 2” dhe Haradinaj do të implementohet plotësisht.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button