Portalb pjesë e iniciativës gjermane për luftimin e lajmeve të rrejshme dhe propagandës mediale

Kryeredaktorja e Portalb.mk, Elida Zylbeari është pjesë e grupit të ekspertëve ndërkombëtarë medial nga Maqedonia së bashku me Dragan Sekulovskin nga Shoqata e Gazetarëve, të cilët këto ditë mbajnë punëtori në Shkup për çështjen e vetë-rregullimit në media.

Punëtoria në fund të së cilës do të publikohen rekomandime konkrete si të luftohen lajmet e rrejshme dhe si të përforcohet vetë-rregullimi në media, mbahet në kuadër të programit për media në Evropën Juglindore të Fondacionit Konrad Adenauer dhe grupit “Article 10 ECHR” Task Force nga Universiteti Evropian Viadrina i Frankfurtit.

“Së bashku me njëzet ekspertë, profesorë dhe përfaqësues të Këshillave të Etikës së vendeve të Ballkanit dhe Evropës diskutojmë për efektin që kanë lajmet e rrejshme ndaj interesit publik dhe si të luftohen të njëjtat. Njëkohësisht, debatojmë dhe për idenë se si mediat të vet-rregullohen në mënyrë më efektive pa ndikimin e Qeverive në pavarësinë e tyre” tha Elida Zylbeari, kryeredaktore e Portalb.mk.

IMG_8972

Në kuadër të punëtorisë u organizua edhe konferencë publike me titullin “Gazetaria si fushë betejë – lajme të rreme dhe propaganda” e cila publikisht trajtoi dhe çështjen e lajmeve të rrejshme dhe propagandën si dy çështje aktuale në Evropën Juglindore dhe në mbarë botën.

“Dukuria e lajmeve të rrejshme është e pranishme në disa nga mediat në Maqedoni, por ajo është një dukuri botërore për të cilën diskutohet gjithnjë e më shumë dhe kërkon masa dhe zgjidhje, duke pasur parasysh implikimet që krijon dukuria e tillë e shpalljes së informatave të pavërteta, gjë që është e ndryshme nga propaganda dhe dezinformata”, thotë Marina Tuneva, drejtore ekzekutive e Këshillit për etikë në mediat e Maqedonisë.

“Duke folur nga përvoja në Këshillin për etikë në media, shumë shpesh jemi dëshmitarë të rasteve me dezinformata, informata të rrejshme, shpallja e lajmeve në suaza të ndonjë agjende ose lajme të krijuara nga ndonjë qendër tjetër, ose thjesht informatat e pranuara nuk kontrollohen dhe si të tilla shpallen në media. Njëra nga masat e mundshme do të ishte ngritja e nivelit të edukatës për media te qytetarët”, tha Tuneva.

Sipas profesorit Johanes Veberling nga Univesiteti evropian Viadrina i Frankfurtit, lajmet e rrejshme nuk kanë asgjë të përbashkët me gazetarinë e vërtetë. “Gazetaria serioze është themel për demokraci të lirë dhe liberale ndërse lajmet e rrejshme janë ana tjetër e temës. Mendoj se lajmet e rrejshme nuk kanë asgjë të përbashkët me gazetarinë dhe lirinë e mediave, gjegjësisht ata janë problem i shoqërisë”, tha Verbeling.

Punëtoria vazhdon edhe të premten ku pritet të dilet me konkluzionet konkrete për iniciativën gjermane për luftimin e lajmeve të rrejshme dhe propagandës mediale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button